Pjesëmarrja e Kryeministrit Rama në Abu Dabi ka shkaktuar debat mes tij dhe komentuesve në rrjetet sociale.

Në kundërpërgjigje, afrimin e Shqipërisë me vendet e Lindjes, Kryeminsitri e sheh si një mundësi nga e cila kanë përfituar edhe shtete europiane, mes të cilave edhe Italia kur bëhet fjalë për projekte siç është ai për ndërtimin e një linje interkonjeksioni të energjisë së rinovueshme që do të ndërtohet përmes Adriatikut nga Vlora në Pulia.

“Duke filluar që nga marrëveshja e sotme, ku isha mes arabëve dhe italianëve dhe Italia është në Evropë”, tha Rama.

Pavarësisht marrëveshjeve të nënshkruara me këtë vende, Rama thotë se numri më i madh i bizneseve që operojnë në Shqipëri janë kryesisht nga Europa dhe SHBA-të.

“Tani, e dini sa biznes bëjnë investitorët e huaj në Shqipëri në 1 vit? Investime të reja, mbi 1 miliardë Euro. Dhe e dini se nga vijnë? Nga Evropa, Amerika, shumica dërrmuese. Thuajse të gjitha vijnë nga Evropa dhe para pak ditësh, qeveria amerikane, na njoftoi se e ka përzgjedhur Shqipërinë për një financim të madh në fushën e energjisë që janë fondet e qeverisë amerikane”, deklaroi Rama.

Ky koment i Kryeministrit Rama vjen pak orë pas firmosjes së investimit që kap vlerën e 1 mld Euro i firmosur në Abu Dabi mes Shqipërisë-Italisë e Emirateve Arabe e që pritet të jetë gati për 3 vite dhe do jetë në pronësi të tre shteteve.

Tv Klan