Trajtimi i problemit të emigracionit ishte një nga premtimet elektorale të presidentit të zgjedhur të SHBA-së Donald Trump. 78-vjeçari do t’i besoj Tom Homan mbikqyrjen e kufijve të vendit në administratën e re republikane dhe kjo nuk është një suprizë për mbështetësit e Trump.

Ky i fundit gjatë tubimeve të tij elektorale lavdëronte shpesh Homanin.

“Unë e njoh Tomin për një kohë të gjatë dhe nuk ka njeri më të mirë në mbikqyrjen dhe kontrollin e kufijve tanë,” shkroi Trump në një postim në rrjetet e tij sociale.

Ai shtoi se Homan do të jetë përgjegjës për dëbimin e të gjithë emigrantëve të paligjshëm në vendet  e tyre të origjinës. Homan ka qenë  drejtori i Emigracionit dhe Kontrollit doganor gjatë presidencës së Barack Obamës dhe administratës së parë të Donald Trump.

Presidenti i sapozgjedhur është zotuar të nisë që në ditën e parë të presidencës së tij operacionin më të madh të dëbimit të emigrantëve të paligjshëm në historinë e SHBA.

Ndërkohë, Presidenti i zgjedhur Donald Trump i ka ofruar Elise Stefanik punën si ambasadore e SHBA në OKB. Trump po takohet me kandidatët e mundshëm për të shërbyer në administratën e tij përpara ceremonisë në Janar.

Klan News