Donald Trump u zotua gjatë fushatës zgjedhore se do ta zgjidhte konfliktin Rusi-Ukrainë. Në një konferencë me gazetarët, ai u duk sikur kërcënoi drejtpërdrejtë Rusinë.
Trump tha se ka të ngjarë të vendosë sanksione ndaj Kremlinit nëse Presidenti i saj, Vladimir Putin, refuzon të negociojë për përfundimin e luftës në Ukrainë.
“Zelenskyy më tha që ai do që të arrijë një marrëveshje. Nuk di nëse Putini e do një gjë të tillë. Ndoshta nuk do, nuk e di. Ai duhet të bëjë një marrëveshje. Mendoj se po shkatërron Rusinë duke mos bërë një marrëveshje. Lufta nuk duhet të kishte filluar kurrë. Nëse do të kishit një President kompetent, që nuk e kishit, lufta nuk do të kishte ndodhur. Lufta në Ukrainë nuk do të kishte ndodhur kurrë nëse unë do të isha President”, tha Donald Trump.
Trump nuk dha detaje mbi sanksionet e mundshme shtesë. Shtetet e Bashkuara tashmë e kanë sanksionuar rëndë Rusinë për agresionin e saj ndaj Ukrainës në Shkurt 2022.
Ndër të tjera, ai tha se administrata e tij po shikonte gjithashtu çështjen e dërgimit të armëve në Ukrainë, duke shtuar pikëpamjen e tij se Bashkimi Evropian duhet të bëjë më shumë për të mbështetur Ukrainën.
“Ne do ta shqyrtojmë këtë. Po flasim me Zelenskiy. Ne do të flasim me Presidentin Putin shumë shpejt. Dhe ne do të shohim se si do të ndodhë e gjitha. Por unë mendoj se Bashkimi Evropian duhet të paguajë shumë më tepër se sa ata paguajnë”, tha Trump.
Ende mbetet një mister se çfarë do të propozojë administrata e re në Uashington për të nxitur Rusinë të ndalë luftën.
Megjithatë, disa prej propozime të deritanishme ku këshilltarët e Trump dhe Putini bien dakord janë kërkesa që Ukraina të mos anëtarësohet shpejt në NATO dhe për paqen të merren parasysh edhe pushtimet ruse të deritanishme, propozime që deri më sot nuk janë pëlqyer nga Kievi.
Klan News