Për afro 3 orë e gjysmë, ish-ministri Edmond Haxhinasto u pyet nga hetuesit e posaçëm në ambientet e SPAK. Ai u paraqit i vetëm në orën 14 në godinën e qelqtë, pa avokat dhe doli prej saj rreth orës 17 e 30. Në dalje të SPAK, ish-ministri tha për mediat se ishte pyetur si dëshmitar për disa çështje me interes nga hetuesit.
“Jam thirrur me cilësinë e dëshmitarit për disa çështje të caktuara”, tha ai.
Burimet konfirmuan për Tv Klan se Haxhinasto u pyet për dosjen Meta-Kryemadhi. Interesi i hetuesve mësohet të ketë qenë dijenia dhe roli i ish-zyrtarit në marrëveshjen e interkonjuksionit për të cilën Meta dhe Kryemadhi dyshohen se kanë ndikuar në favor të një biznesmeni.
Ish-presidenti Ilir Meta ndodhet në qeli për dyshimet se është përfshirë në korrupsion dhe pastrim parash në detyrat e mbajtura në te shkuarën. Për të njëjtat akuza në masën detyrim për t’u paraqitur është edhe Monika Kryemadhi.
Tv Klan