Ish-ministri Edmond Haxhinasto dëshmoi për rreth 4 orë në SPAK këtë të martë. Në dalje nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ai tha se ishte thirrur si dëshmitar për disa çështje të caktuara.
“Jam thirrur me cilësinë e dëshmitarit për disa çështje të caktuara. Deklarimet e mia i dhashë aty ku duhet”, mësohet të jetë shprehur Haxhinasto sipas asaj që raporton gazetarja Glidona Daci, por pa shpjeguar nëse kishte të bënte me çështje që lidheshin me detyrën e tij.
Mirëpo gazetarja Daci ka arritur të mësojë nga burime të saj se Haxhinasto është thirrur në cilësinë e ish-ministrit të Infrastrukturës në lidhje me dosjen Meta-Kryemadhi.
“Edhe në vendimin e GJKKO në lidhje me këto çështje zoti Haxhinasto del në komunikime duke u përpjekur të ndikojë që kompania e drejtuar nga shqiptaro-amerikani Adrian Shatku të lidhte kontrata si dhe të licencohej në territorin e Republikës së Shqipërisë si një kompani e vetme sa i takon fibrave optike në territorin e Republikës së Shqipërisë. Për këtë arsye ai ka qëndruar për gati 4 orë në dyert e SPAK duke dhënë shpjegime”, raportoi gazetarja Glidona Daci.
Kujtojmë se Edmond Haxhinasto ka mbajtur detyra të larta në qeveritë shqiptare. Gjatë viteve 2009-2010 ai ka shërbyer si zv/ministër i Punëve Publike dhe Transporteve.
Gjatë periudhës 2010-2012 ka shërbyer si Ministër i Jashtëm, ndërsa nga 2012 deri në 2013 si Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë.
Nga Janari i 2011-ës e deri në Prill 2013 ai mbajti postin e zv/kryeministrit të Shqipërisë. Në vitin 2013 ai u zgjodh Ministër i Transportit dhe Infrastrukturës, rol të cilin e mbajti deri në Shtator të vitit 2016./tvklan.al