333 fashikujt hetimorë të dosjes së ish-kompleksit sportiv “Partizani” janë dorëzuar nga SPAK në gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Për këtë çështJe janë marrë të pandehur 5 persona, ish-kryeministri Sali Berisha, Jamambër Malltezi, biznesmeni Xhimi Begeja, Fatmir Bektashi dhe noterja Andia Pustina. Pjesë e fashikujve hetimorë janë edhe kundërshtimet e dorëzuar nga Berisha dhe 4 të pandehurit e tjerë.
Të Mërkurën në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë do të hidhet shorti elektronik për të përcaktuar gjyqtarin paraprak. Burime bëjnë me dije se pjesë e shortit do të jenë vetëm 10 gjyqtarë të Gjykatës së Posaçme, pasi të tjerët kanë shqyrtuar kërkesa të Berishës dhe të pandehurve të tjerë gjatë fazës hetimore.
3 janë vendimet që mund të marrë gjykatësi paraprak në këtë fazë. Mund të pranojë kërkesën e SPAK dhe ta kalojë çështjen për gjykim, të pranoj kërkesën e avokatëve dhe të pushojë çështjen, ose mund ta rikthejë në SPAK për hetime të mëtejshme, duke i lënë detyra përkatëse. Nëse gjyqtari pranon aktet e dosjes së SPAK, atëherë nis zyrtarisht gjyqi në themel.
Në seancë paraprake ish-kryeministri pritet të kërkojë edhe revokim të masës së sigurimit. Berisha dhe Malltezi jane nën masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’ dhe kanë mohuar akuzat. Biznesmeni Fatmir Bektashi është hetuar nën masën “detyrim paraqitje”. Kurse Xhimi Begeja dhe Andia Pustina janë hetuar në gjendje të lirë. Berisha akuzohet për “korrupsion pasiv”, Malltezi e Bektashi për “korrupsion dhe pastrim parash”. Ndërsa dy të pandehurit e tjerë vetëm për pastrim parash.
Klan News