Transferohen 300 çështje te Krimeve të Rënda
Pas emërimit të 8 prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme anti-korrupsion, pritet që prokuroria e Krimeve të Rënda të pushojë së funksionuari.
Për këtë 300 dosje pritet t’i kalojnë SPAK mes të cilave edhe atentati i 1 nëntorit ku mbeti i plagosur prokuroria Arjan Ndoja, miku i tij Pëllumb Muharremi dhe humbi jetën shoferi Andi Maloku.
Për këtë ngjarje është arrestuar vetëm Redjan Rraja pasi dyshohet se është një nga personat që ka marrë pjesë në atentat. Mësohet se deri tani janë transferuar rreth 120 dosje pranë SPAK, ndërsa pritet që ky institucion të zgjedhë edhe kreun e saj.
Deri tani kanë shprehur interes 3 prokurorët, Altin Dumani, Arben Kraja dhe Ervin Kondili. Të tre që i kanë kaluar të dyja shkallët e Vetingut.
Më pas Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të miratojë metodologjinë për përcaktimin e kandidatit fitues, të cilët ashtu siç ndodhi edhe me Prokurorin e Përgjithshëm do ti nënshtrohen një seance publike dëgjimore ku do të paraqesin platformën e tyre.
Struktura e Posaçme Antikorrupsion do të nisë detyrën pas zgjedhjes së kryetarit duke marrë në dorëzim rreth 300 dosje nga Krimet e Rënda, ndërsa betimi I 8 prokurorëve do të bëhet më 19 dhjetor përballë presidentit të republikës. Struktura e Posaçme Anti-korrupsion do të hetojë dhe çojë në gjykatë dosjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe krimet e kryera nga zyrtarë dhe ish-zyrtarë të nivelit të lartë.
Tv Klan