Efektivë të Sektorit të Qarkullimit Rrugor të mbështetur edhe nga Forcat Shqiponja në Drejtorinë Vendore të Policisë në Lezhë janë vendosur prej disa ditësh në qytet. Kontrolleve ndaj mjeteve të blinduara dhe atyre që përdorin xhama të zinj, tashmë u janë shtuar edhe monitorimi i trafikut dhe parkingjet e gabuara që ishin kthyer në shqetësim për qytetarët.

Në orët e pasdites vëmendje u është kushtuar edhe lëvizjes me shpejtësi përgjatë Bulevardit “Gjergj Fishta”, por edhe në segmente të tjera, gjë e cila ka sjellë ndëshkimin e kundravajtësve. Sëbashku me efektivët e policisë është shfaqur në terren edhe Drejtori i Policisë Vendore, Altin Mena.

Burime kanë bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe, Mena, ka ndjekur nga afër veprimet e policisë dhe ka kërkuar prej tyre angazhim maksimal në përmbushjen e detyrave për sigurimin e rendit dhe sigurisë publike.

Po sipas këtyre burimeve, drejtuesi i ri i Policisë në Lezhë, ka udhëzuar veprime edhe ndaj efektivëve blu në këtë drejtori nëse do të rezultojnë në kundërshtim me ligjin duke poseduar mjete me xhama të zinj apo që parkojnë në mënyrë të gabuar. Veprimet e policisë nuk janë një aksion theksojnë këto burime duke kërkuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve.

Ndërkohë policia njofton se gjatë muajit Nëntor, janë vënë në pranga 46 drejtues mjetesh, nga këta 6 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 40 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

“Gjithashtu, janë ndëshkuar administrativisht në total 2830 drejtues mjetesh, konkretisht: 845, për qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara; 590, për parakalime të gabuara; 126, për përdorim të celularit, gjatë drejtimit të mjetit; 97, për mosvendosje të kaskës mbrojtëse; 69, për mosvendosje të rripit të sigurimit; 15, për drejtim të mjetit pas përdorimit të pijeve alkoolike; 580, për parkime të gabuara; 508, për shkelje të tjera të Kodit Rrugor”, njoftoi policia.

Klan News