Rama-RaiLazarati i ka kaluar kufijtë e vendit, për prodhimin e mariuanës dhe po bëhet gjithnjë e më shumë temë e mediave ndërkombëtare. Rasti më i fundit vjen nga emisioni “Porta a Porta” në Rai Uno.

Një gazetar i këtij emisioni, përmes pamjeve ekskluzive, intervistave me trafikantë e policë, e përshkruan këtë fshat si një zonë të kontrolluar nga  trafikantët. Ai nënvizon se policia nuk mund të hyjë aty dhe mjaftohet vetëm me disa aksione për të bllokuar nxjerrjen e mariuanës jashtë tij.

Përpjekjet e gazetarit për hyrë në fshat nuk mbështeten nga policia. Kryetari i komunës Dashamir Aliko e garanton se për të hyrë nuk ka asnjë problem. Por gazetari thotë se fshati nuk është që aspak mikpritës, pavarësisht parrullave të mirëseardhjes të shkruar në muret e larta që rrethojnë shtëpitë.

Gazetari:

Shtëpitë janë të rrethuara nga mure të larta. Në shesh janë furgonat që transportojnë punëtorët. Plantacionet aktualisht po bëhen gati për mbjelljen. Pas një muaji këtu gjithça do të jetë e mbjellë me kanabis. Aty punojnë të gjithë…, gratë, fëmijët dhe të moshuarit. Çdo familje prodhon thuajse 1 ton kanabis që e shet me 300 euro kilogramin.

Trafikantët marrin rreth 200 euro për trafikun e çdo kilogrami drejt Italisë, nëpërmjet kanalit të Otrantos. Kjo rrugë është kthyer në shqetësim kryesor për autoritetet italiane.

Trafikanti:

E nisëm me klandestinët. Tashmë mbaroi me klandestinët dhe merremi me drogën që ndonjëherë vjen nga Lazarati. Nëse deti është i qetë ndodh që bëjmë edhe 2 rrugë në muaj. 

Kryeministrit Rama, pjesë e këtij reportazhi, shprehet se ka shumë punë për të bërë për të luftuar krimin e organizuar dhe se nevojitet bashkëpunim më i afërt i policive të dy vendeve. E teksa pyetet për legalizimin e mariuanës, nuk ka shumë dëshirë të flasë për të.

Kryeministri Rama:

Legalizimi i marijuanës është një diskutim të cilin do të preferoja të mos e bëja. Pastaj nuk i takon Shqipërisë të shkojë më tutje, të marrë një vendim të tillë, kur çështja e legalizimit të marijuanës mbetet ende një temë e hapur në vende më të zhvilluara se ne në BE. Për momentin jemi të përqëndruar tërësisht në një luftë me tolerancë zero kundër krimit të organizuar dhe çdo lloj trafiku.

Pak ditë më parë, Ambasada Amerikane e cilësoi Lazaratin si një zonë të pasigurtë, të braktisur nga policia dhe të kontrolluar nga trafikantët, teksa njoftoi qytetarët amerikanë dhe punonjësit e saj se e kanë të ndaluar të udhëtojnë drejt tij. Një deklaratë, që solli reagimin e kryetarit të Komunës dhe disa banorëve, sipas të cilëve, në Lazarat mund të hyje çdo person që është miqësor. 

Altin Janaqi