Lajme Arkiva 2003

Durrësi do të jetë qyteti më i monitoruar gjatë ditës së zgjedhjeve në 12 Tetor. Këtë premtim jep misioni vëzhgues i ODIHR-it për zgjedhjet vendore i cili ka prezantuar sot dy vëzhguesit afatgjatë që do të qëndrojnë në Durrës gjatë gjithë periudhës parazgjedhore deri ditën para zgjedhjeve.

Robert Barry: “Ne i kemi kërkuar të 56 vendeve anëtare të OSBE-së për të dërguar monitorues në Shqipëri. Shpresojmë të formojmë nj grup prej afro 250 vetash. Ndërkohë rreth 100 të tjerë do të jenë vëzhgues vendas që do të punësohen nga ne. Numri i vëzhguesve që do të caktohen në Durrës do të vendoset vetëm pasi të kemi një ide për të gjithë ekipin e vëzhguesve, por Durrësi në raport me qytetet e tjera do të monitorohet me vështirësi”.

Ambasadori Barry ka prezantuar vëzhguesit afatgjatë Viktor Betler dhe Tomas Stillman gjatë takimit që ai pati me kandidatin socialist për postin e kryebashkiakut  në Durrës Lefter Koka, si dhe me kandidatin demokrat Avni Hoxha. Në takim ambasadori  Barry  tha se nëse zgjedhjet  do të paraqesin probleme, problemet do të shfaqen në Durrës.

Në fakt deri më tani janë vërejtur disa probleme që do të paraqiten edhe  në një raport të ODIHR-it që do të publikohet brenda pak ditësh pasi ai ua ka thënë edhe vetë kandidatëve. Ndonëse deri tani  sipas tij fushata ka qenë relativisht e qetë acarime ka pasur.

Ambasadori përmendi vendosjen e shtabit elektoral të kandidatit socialist në mjediset e pallatit të kulturës Aleksandër Moisiut, vend ku do të jenë edhe dy qendra votimi. Lefter Koka nga ana e tij deklaroi se një ditë para votimit do ta largonte shtabin nga mjediset e Pallatit të Kulturës.

Në takimin me kandidatin demokrat Avni Hoxha, ambasadori Barry u njoh me të tjera probleme, siç ishte vendosja e rreth 20 qendra votimi në prona private që bien në kundërshtime me ligjin zgjedhor si dhe me zvarritjen e KQZV-së, për të riparuar gabimet në listat e zgjedhësve.

Ambasadori Barry shefi i misionit të ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve paralajmëroi se do të takojë edhe kandidatë të tjerë që janë prezantuar në Durrës./tvklan.al