“Udha e Shkronjave” – Arben vs Eris
“Kujdes shëndetin” – Epilepsia, parkinsoni dhe tumoret e trurit
“Ka një mesazh për ty” – Valixhja e mirënjohjes
Hyri në studio me një valixhe druri, Salushja rrëfen historinë pas saj
Salushja hyri në “Ka Një Mesazh Për Ty” me një valixhe druri që kuriozoi të gjithë të pranishmit në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan. Ajo nisi të rrëfente se jeta nuk ka qenë fort e lehtë për familjen e saj. Kur Salushja ishte 7 vjeçe, babai ndërroi jetë nga një aksident në punë dhe la pas 4 vajza e një djalë.
Vëllai i Salushes asokohe ishte 24 vjeç dhe puna e tij ishte 6 orë larg nga shtëpia. Ai mori rolin e kryefamiljarit dhe u kujdes për të gjithë, fillimisht duke e shpërngulur familjen në një fshat një orë larg Librazhdit dhe më pas, duke u përpjekur t’i ofronte secilës diçka.
Ai u kujdes për dasmat e tyre, ndërsa Salushja dëshironte të studionte. Me shumë mund, ajo fitoi bursën e shkollës së mesme dhe sakrifica e vëllait ishte që ta merrte çdo javë me biçikletë për në shtëpinë e tij për ta ndihmuar me ç’të mundte ndonëse kushtet ekonomike ishin të vështira.
Salushe: Shkoja ndonjëherë te vëllai atje se kishim edhe shërbime, për t’u larë, për ndonjë gjë, shkoja se punonte magazinier në tregti, shkoja për t’i kërkuar ndonjë gjë, më vinte turp t’ia kërkoja se aq ishte. Më thoshte “pse erdhe?”, për qejf erdha i thoja, “do ndonjë gjë?”, jo jo, por e dinte se…
Ardit Gjebrea: Ajo “jo, jo” ishte “po, po”.
Salushe: Pasi mbarova shkollën e mesme, unë u fejova. Pastaj më bëri vëllai një dasmë që s’e kisha ëndërruar kurrë, me vello e me gjithë sa pati mundësi, me kolektiv.
Ardit Gjebrea: Tani më trego një çikë, kjo valixhja si e ka historinë?
Salushe: Me këtë valixhe kam shkuar 4 vjet në shkollë të mesme.
Ardit Gjebrea: Nuk kishe çantë?
Salushe: Nuk kisha çantë.
Ardit Gjebrea: Po ku e gjete këtë valixhe?
Salushe: Këtë valixhe ma ka sjellë vëllai me duart e veta.
Ardit Gjebrea: Të bëri vëllai këtë valixhe.
Salushe: Po.
Ardit Gjebrea: Dhe në këtë valixhe ti fusje librat, gjërat…
Salushe: Po se aty në konvikt i donim të gjitha, i mbyllnim aty se ashtu ishte koha atëherë. Aty në atë valixhe mbaja librat, gjërat personale, çdo gjë.
“Nusja jote më jepte rrobat e trupit”, motra i shpreh mirënjohjen vëllait dhe kunatës
Mehmeti, vëllai i madh i katër motrave, u desh që të merrte rolin e kryefamiljarit në moshën 24-vjeçare kur babai i tyre ndërroi jetë. Salushja e ndau historinë në “Ka Një Mesazh Për Ty” duke rrëfyer kujtimet e saj që i kishte ruajtur në valixhen e drurit që e solli në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.
Atë valixhe ia kishte bërë vëllai me duart e veta, të cilën Salushja e merrte në shkollë në mungesë të një çante por me dëshirën e madhe për t’u shkolluar. Vëllai dhe bashkëshortja e tij, Lefteria, sakrifikuan tepër për të dhe sot ajo i ka ftuar për t’u shprehur mirënjohjen e pakufijshme.
Salushe: Vëlla! Faleminderit shumë që nga dita që na ka vdekur babai e deri më sot ti je kujdesur për mua njëherë në veçanti, për çdo gjë, çfarë nevoje kam patur unë, ti ke qenë gati.
Mehmet: E kam patur për detyrë.
Salushe: Jo. Ti më çove në shkollë, më dhe edukatën, më dhe dijen, më dhe kulturën, më dhe çdo gjë. Ti më martove, më nxore nuse me fustan të bardhë edhe pse s’kishe, me gjithë nusen tënde. Ajo hoqi rrobat e trupit të vet dhe m’i dha mua, më çoi në shkollë të mesme.
Mehmet: Po, e vërtetë. S’kishte, ishim fukarenj.
Salushe: Je kujdesur për çdo gjë, edhe gjënë më të vogël thoshe “çfarë do, çfarë të mungon?” Vija për 5 lekë dhe nuk ta thosha se më vinte keq nga ajo që s’kishim, ashtu ishte koha. Ishim jetimë, na rrite e na edukove e çdo gjë.
Mehmet: Rrofsh, faleminderit shumë!
Salushe: Jam mirënjohëse gjithmonë për ju të dy! Edhe sot që unë jam mosha e tyre me tre kalamaj që i kam të rritur, të martuar, jam me nipër, edhe sot e kësaj dite ti vjen te unë për çdo hall që kam unë.
Mehmet: Motër!
Salushe: Për çdo gjë që kam unë ti je gati.
“Ka një mesazh për ty”- Vajzat realizojne takimin pas 20 vitesh
Nuk janë takuar prej më shumë se 20 vjetësh, dy mikeshat shihen për herë të parë
“Ka Një Mesazh Për Ty”, rubrika e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan është vendi ku surprizat dhe dëshirat bëhen realitet. Prej kohësh, Ëngjëllushja ka dëshiruar të takojë shoqen e saj të ngushtë, Luçianën me të cilën nuk shihej prej 20 vjetësh. Këtë dëshirë ia kanë realizuar dy vajzat e saj, Enkelejda dhe Rudina të cilat e kanë ftuar Luçianën dhe ajo pranoi ftesën për të ardhur në program.
Por përpara se Ëngjëllushja të mësojë se janë vajzat e saj në studio, imazhi i parë që i shfaqet në ekranin përballë është ai i Luçianës. Me këshillën e Gjebreas për t’u kthyer vite pas, asaj i shkon mendja menjëherë te Luçiana që i konfirmon se është vërtet ajo.
Ëngjëllushe: Ua! Shumë faleminderit!
Luçiana: Kënaqësia më e madhe është imja që të takoj pas kaq vitesh.
Ëngjëllushe: Ah moj Luçiana! Kemi kaluar kohë të bukura bashkë.
Luçiana: Po, është e vërtetë.
Ëngjëllushe: Edhe që ishim të thjeshta të vajza, por ishin kohë të arta. Për mua të paktën.
Luçiana: Edhe për mua ndërkohë.
Ëngjëllushe: Të falenderoj nga zemra shumë! Kam patur gjithmonë mall edhe kam patur dëshirë shumë të të takoja, por mundësitë e mia kanë qenë të pakta për të ardhur këtu në Shqipëri.
Surpriza e vajzave, gjejnë shoqen e ngushtë të nënës/ Realizohet takimi pas 20 vitesh
Ëngjëllushja ka sakrifikuar gjithnjë për dy vajzat dhe djalin e saj pavarësisht se ka patur një jetë plot sprova. Vajzat e saj, Rudina dhe Enkelejda rrëfyen në “Ka Një Mesazh Për Ty” sesi nëna e tyre gjente gjithnjë mënyra që ata mos ta ndienin vuajtjen, por të ishin gjithnjë të plotësuar dhe të rritur mirë.
Për këtë arsye, vajzat iu drejtuan rubrikës të së “Dielës Shqiptare”në Tv Klan për ta falenderuar, por duke i bërë edhe një surprizë. Falë ndihmës së programit, ato gjetën mikeshën e ngushtë të Ëngjëllushes, Luçianën me të cilën ajo nuk është takuar prej më shumë se 20 vitesh dhe shprehte vazhdimisht mall për të.
Enkelejda: Mami ne donim të të shprehnim mirënjohjen tonë për çdo sakrificë që ke bërë ti për ne, që na e ke zbukuruar jetën gjithmonë, edhe pse kemi kaluar vështirësi, edhe pse ti ke kaluar vështirësi të tuat të shumta por që je munduar gjithmonë të na e bësh jetën e bukur dhe të na formosh ne si njerëz, të na japësh besimin te Zoti, të na tregosh rrezen e dritës atje ku ne kemi parë errësirën dhe gjithmonë na jep forcën dhe besimin që ndoshta ne nuk do ta kemi asnjëherë si ty, por dashuria jote është pasuria më e madhe e shpirtit tonë.
Ëngjëllushe: Faleminderit zemra ime! E bukura e nënës!
Luçiana: Kjo ishte edhe për mua një surprizë shumë e madhe. Nuk e mendoja që mund të ishin gocat që na bënë këtë ftesë për të dyja ne që do të ngelet një kujtim vërtet i paharruar. Gëzohem pa masë që të shoh pas kaq vitesh, gëzohem vërtet.
Ëngjëllushe: Edhe unë gëzohem shumë. Gjithmonë të kam kërkuar, në mendje edhe në shpirt.
Luçiana: Është e vërtetë, edhe unë ndërkohë, jemi dashur shumë.
“Shihemi në Gjyq” – Dyshon për tradhëti pas 45 vitesh martesë
“Burri 70 vjeç ikën e bredh”, gruaja dyshon për tradhtinë: Të kam dëgjuar në telefon e mesazhe
Zhaneta dhe Rolandi, çifti që ka ardhur në “Shihemi në Gjyq” ka 45 vite martesë. Ka qenë Zhaneta ajo që ka kërkuar një përballje në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan pasi thotë se bashkëshorti mban mjetet e saj të identifikimit ndërsa vetë nuk gjendet në shtëpi.
Rolandi thotë se këtë e ka për shkak të punës si shofer kamioni, ndërsa sa për dokumentet thotë se do ia japë vetëm nëse ata divorcohen. Shqetësimi kryesor i Zhanetës janë disa dyshime për shkak të lëvizjeve të tij sepse mendon që Rolandi ka një marrëdhënie jashtëmartesore.
Zhaneta: Bënte Greqinë, Greqi-Turqi dhe unë rrija me kalamajtë në shtëpi. Edhe tani ashtu vetëm po rri.
Roland: Kam punuar tërë kohën dhe ajo ka ndenjur në shtëpi. Sot vjen e më sjell mua këtu.
Ardit Gjebrea: Dikush për fëmijët duhet të kujdeset. Keni fëmijë ju?
Zhaneta: Kam dy fëmijë.
Ardit Gjebrea: Dikush duhet të kujdesej për fëmijët.
Zhaneta: Jemi bërë edhe gjyshër dhe dëgjojnë fëmijët këto bukuritë tona, është turp.
Roland: Kjo nuk është në terezi fare.
Ardit Gjebrea: Pse?
Roland: Se më kërkon hesap ku shkon, ku vete?
Zhaneta: Po ikën ore, vjen vonë, ku vete? Pse s’më tregon?
Roland: Unë kam shokë, kam miq, do dal.
Zhaneta: Ke shokë! Mos ke shoqe pa shokë…
Roland: Do shikoj një sport, të pi një kafe. Nuk do rri gjithmonë pas kësaj!
Zhaneta: Pas meje do rrish, ku do rrish? Burri 70 vjeç, ikën më bredh!
Ardit Gjebrea: Në fakt, kur ikën bashkëshorti dhe bashkëshortja nuk e merr për një kohë të gjatë në telefon, ka nga ata burra që thonë sa mirë, ka nga ata burra që thonë po pse s’më merr, nuk e mori malli për mua?
Roland: Jo, Ardit, kjo ka diçka tjetër se nuk ka mundësi!
Zhaneta: Çfarë diçkaje? Ma thuaj çfarë diçkaje kam, asnjë gjë s’kam! Ti je nga ata që rri i ikur nga shtëpia.
Roland: Ne kemi 45 vjet, 50 vjet martuar me njëri-tjetrin. U kujtua sot kjo të bëhet xheloze!
Ardit Gjebrea: Po të do akoma, të do.
Zhaneta: Ka një femër në Durrës.
Roland: Po çfarë femre, janë përralla me mbret që tregon ajo!
Zhaneta: Po jo ore, të kam dëgjuar në telefon dhe në mesazhet e saj.
Roland: Unë telefonin e lë mbi tavolinë.
Eni Çobani: Po s’keni edhe moshë për këtë gjë, zoti Roland, më vjen keq tani.
Roland: Zonja Eni, të të bëj një pyetje: Me çfarë e mat moshën time ti?
“Kjo po më shkurton jetën”, burri shpjegon mungesën në shtëpi: Gruaja ka 4 vjet që më ka kthyer kurrizin
Martesa 45-vjeçare e Zhanetës dhe Rolandit, çiftit që ka ardhur në “Shihemi në Gjyq” është në një krizë. Sapo hyri në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Zhaneta i bëri të qarta dyshimet e saj për tradhti nga ana e bashkëshortit.
Ajo thotë se ai nuk është i pranishëm në shtëpi dhe kjo e shtyn të mendojë se ka dikë tjetër. Rolandi shprehet se nuk ka qëndruar për shkak të punës ndërsa tani është lodhur nga përplasjet e vazhdueshme mes tyre.
Roland: Kjo po më shkurton jetën ore vëlla!
Zhaneta: Jo more jo, ty po të zgjatet jeta!
Eni Çobani: Pse po ta shkurton jetën? Se më vjen keq për gjuhën që përdorni.
Roland: Si s’ma shkurton?
Eni Çobani: A të ka shërbyer?
Roland: Jam sëmurur nga ajo, jam me tension, jam bërë me prostatë.
Zhaneta: Unë s’të kam bërë, të ka bërë koka jote. Koka jote që nuk dëgjon!
Rolandi e mohon ekzistencën e një personi të tretë mes çiftit, por indiferencën ndaj bashkëshortes dhe mungesën e shpeshtë në shtëpi e shpjegon si mungesë të plotësimit të nevojave intime.
Roland: Jam indiferent se kemi 4 vjet që ajo më ka kthyer kurrizin. Tani unë c’do bëj? Unë jam burrë, kam nevojë.
Zhaneta: Je burrë, ke nevojë, rri si është për të ndenjur.
Eni Çobani: Nevojat ku i kryeni normalisht? Se prandaj thotë zonja, ju si duket keni gjetur një zgjidhje tjetër, duhet t’ia pranoni zonjës këtë se sapo e pranuat vetë tani. Keni 4 vjet që me zonjën s’keni marrëdhënie, gabim në fakt sepse këto janë edhe gabime që ndodhin brenda çiftit. Normalisht Zhaneta, ju është më mirë të komunikoni sesa t’i ktheni kurrizin burrit.
Roland: Zonja Eni, ka ardhur nga ajo kjo gjë, kjo ftohje sepse ka mendësi të tjera, më akuzon për gjëra që nuk qëndrojnë.
Dyshimet e Zhanetës për tradhtinë: Vjen nga Durrësi, lahet e shpëlahet dhe kërkon për të ngrënë
Zhaneta është e bindur se largimet e shpeshta të bashkëshortit të saj, Rolandit në Durrës, kanë pas një marrëdhënie tjetër. Ajo tha gjatë “Shihemi në Gjyq” se Rolandi zhduket për dy javë, por në këto largime kthehet në shtëpi për nevojat personale e më pas vazhdon sërish itinerarin e tij.
Deri në këtë pikë të rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan Rolandi ka thënë vazhdimisht se tradhtia nuk ekziston në këtë martesë 45-vjeçare. Ai përpiqet ta përforcojë këtë me një deklaratë të pahijshme kundrejt Zhanetës.
Zhaneta: Mirë që di makinën edhe Durrës. Vjen, lahet, shpëlahet dhe ikën në Durrës dy javë.
Eni Çobani: S’lahet dot në Durrës ky, duhet të lahet në shtëpi? Po pse s’lahesh në Durrës ti?
Zhaneta: Po! Më thotë mua edhe çfarë do më bësh për të ngrënë se e merr uria, po.
Eni Çobani: Të bësh ca punë të merr uria.
Zhaneta: Duhet të mbaj burrin mirë.
Roland: Nuk e di, ndoshta mund të ketë nevojë për një psikiatër a një…
Zhaneta: Jo, jo, jam shumë në rregull.
Eni Çobani: Mos e ço deri në këto pika! Kujdes!
Zhaneta: Se s’të pëlqen ty!
Eni Çobani: Jo, jo e di për çfarë ka nevojë ajo? Ajo ka nevojë për ndershmëri dhe për burrë. Ajo ka nevojë për burrë o zotëri! Bëhu burrë atje t’i dalësh burrë bashkëshortes tënde!
Zhaneta: Tani iku mbaroi! Kam kalamajtë, për çfarë të dua ty unë?
/tvklan.al