#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

Power Kidz 8 – Faza 1

“Kujdes shëndetin”- Kirurgjia e skoliozës, Liv Hospital

“Ka një mesazh për ty” – Modeli njerezor i Flutura Açkës

Telefonata e papritur që zuri në befasi Ardit Gjebrean, deputetja bëhet pjesë e “Ka Një Mesazh Për Ty”

“Para disa ditësh, marr një telefonatë nga një mikeshë shumë e dashur për mua dhe mbi të gjitha, një personalitet të cilën e vlerësoj shumë dhe mendova që do të pinim një kafe nga ato që mezi i pres, por jo.  Më tha do të dëshiroja të vija te ‘Ka Një Mesazh Për Ty’. U çudita të them të vërtetën jo se ne këtu kemi kufizime, por ajo duke qenë një personazh publik, vendosi që të marrë shpirtin me vete, të vijë këtu dhe të lërë petkun e deputetes, të politikanes, të shkrimtares, të botueses, të poeteshës dhe unë kam librin ‘Biri’ në dorë të cilin e mora thjesht për t’i thënë sa shumë e dua dhe sa shumë e vlerësoj”.

Kështu e nisi moderatori i programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, prezantimin e të  ftuarës së parë në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty”. Një telefonatë e papritur nga një personalitet i shquar me kërkesën për të qenë pjesë e emocioneve të shtëpisë së të gjithëve të pranishëm në studio e që ndjekin përtej saj.Të gjitha hamendësimet u njësuan me zbulimin e librit që ai mban në dorë, i shkruar nga Flutura Açka përpara se ta thërriste emrin e saj edhe për publikun.

Ajo nuk vjen si një politikane këtë herë, por “zbret te njerëzorja” siç shprehet edhe vetë, një emocion për të cilin e merr shpesh malli në politikë por që e ndien më fort se gjithçka tjetër.


Ardit Gjebrea: Jam shumë i lumtur që jemi bashkë në program dhe e di që ky do të jetë një mesazh shumë i rëndësishëm, ndoshta jo vetëm shpirtëror, por ndoshta edhe për të gjithë ata që janë si ju, në politikën e vendit. Për një moment, të kujtojnë se sa vlera të tjera ka përtej derës së parlamentit apo partisë që ju përfaqësoni.

Flutura Açka: Shpeshherë kemi nevojë për emocione të forta, emocione njerëzore, kështu që më vjen mirë që zbrita te kjo gjë njerëzore për të cilën ndonjëherë më merr shumë malli në politikë, pra më shumë jam shkrimtare, njeri, grua, nënë në këtë pozicion se politikane, megjithëse atë përqindje nuk e zhvesh dot.

Ardit Gjebrea: Jo ne nuk duam, përkundrazi në momentin që e vishni bukur, madje ta vishni sa më shumë sepse ne kemi nevojë për politikanë të cilët nuk harrojnë asnjëherë shpirtin dhe atë të vërtetën që kanë brenda, në shërbim gjithmonë të njerëzve kështu që unë për këtë vërtet ju adhuroj.

“Një qiri që digjet për ty”/ Miqësia që ndan dhimbjen, 25 vitet e Flutura Açkës dhe Rezarta Reçit

Është politikane, shkrimtare, poete por sot në “Ka Një Mesazh Për Ty” Flutura Açka i ka lënë të gjitha këto profesione për të shfaqur mikeshën brenda saj. Njeriu që ajo ka zgjedhur të surprizojë në rubrikën e programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan është po ashtu një personazh publik, por për të është mikja e më shumë se 25 viteve.

Flutura Açka e njeh Rezarta Reçin në të gjitha dimensionet e saj: si një gazetare që vesh me njerëzi të ftuarit, si një profesioniste që ka kontribuar në kujtesën kulturore dhe si një mike, një prani që mendon gjithnjë për të kur ajo harron të kujtohet për veten.

Shkrimtarja ndalet edhe te një episod nga udhëtimet e “grupit turistik” siç e quan ajo që përbëhej nga Flutura, djali i saj dhe Rezarta. Tani janë të dyja dhe udhëtimet nuk janë më njësoj pa të tretin. Përtej dhimbjes e sfidës së saj, Rezarta nuk ankohet e për Fluturën, ky është virtyt i rrallë.


Flutura Açka: Sot kam ftuar një mikeshë. E kam fjalën për gazetaren Rezarta Reçi. Është një vajzë që e njeh edhe publiku, që e njeh ekrani, por edhe e ka dashuruar ekrani. Jo kushdo që hyn tek ekrani është një fytyrë gjithmonë e dashur. Rezarta gjithmonë e ka rrethuar personazhin të cilin ka ftuar, personazhin të cilit i ka kushtuar minutat, e ka rrethuar me një gjë shumë njerëzore. Për këtë gjë njerëzore kam dashur t’i them ‘faleminderit’, por edhe për miqësinë e gjatë mbi 25-vjeçare me të, por një miqësi e zakonshme, por një miqësi që nuk ka atë përditshmërinë e telefonatave, ndonjëherë edhe të bezdisura, të cilat i mbush me “ç’kemi, si kalove”, por një gjë që është në kufijtë e një qiriu që digjet për ty. Do të thotë, në çdo moment që t’i biesh telefonit, nëse është aty për ty, qoftë edhe një prani, ti e di që ka një prani në kufijtë e kozmikes duke menduar mirë gjithmonë për ty. Këtë vit bëhen 20 vite nga programi i saj më i rëndësishëm “Arratia e peshkut të kuq” ku ajo mori personazhe dhe ajo që më gëzon është fakti  që në kujtesën e televizioneve shqiptare, s’ka rëndësi cili televizion, është kujtesa jonë, kujtesa jonë kulturore.

Ardit Gjebrea: Kjo është e vërtetë.

Flutura Açka: Janë personazhe të cilët tani nuk janë, nuk ekzistojnë, kanë ikur por ata janë në memorien tonë.

Ardit Gjebrea: Çfarë natyre ka Rezarta, ajo vetë, si njeri?

Flutura Açka: Rezarta prandaj është ndër modelet e mia njerëzore, si mikeshë.

Ardit Gjebrea: Vërtet? Më fal Flutura, është shumë e rëndësishme të dëgjosh, të dalë prej teje që është një nga modelet e mia njerëzore sepse ju vetë jeni model për të tjerët, më beso për këtë.

Flutura Açka: Nuk e di, por para Rezartës unë prapë kam një lloj përkorje shumë të madhe dhe jam shumë modeste në këtë pikë sepse ndoshta edhe prej ngarkesës, ndoshta edhe natyra, duhet ta pranoj  që nuk e kam këtë pjesë kujdesi, quaje përkujdesje njerëzore. Rezarta nuk harron në fillimjavë të thotë “javë e mbarë”, nuk harron ditëlindje, unë harroj ditëlindjet e mia, Rezarta nuk harron. Ne kemi pasur bashkë me Rezartën, e quanim grupi turistik bashkë me tim bir, të tre dhe kemi bërë udhëtime shumë të bukura. Kur njëri nga anëtarët e grupit turistik na braktisi, iku na la vetëm, edhe në njëfarë mënyre udhëtimet tona të bukura sikur u fikën. Bëmë një udhtim të fundit në Bruksel, në Bruzh, sidomos në Bruzh kemi pasur emocione të forta dhe e kuptuam që nuk e përballonim dot më mungesën e anëtarit të tretë  të grupit tonë turistik. E keni parasysh, Rezarta e ka bërë edhe publike vetë, vitet e fundit është në një proces të vështirë për shkak të një sëmundjeje të vështirë dhe një nga gjërat që kam dashur t’i them që edhe ky modeli yt njerëzor në këto ditë të vështira tuat, ka dhënë, ka emetuar emocion te të tjerët, ka dhënë atë mesazhin e thjeshtë që sigurisht kjo është një barrë personale por duhet ndarë me të tjerët deri në kufijtë e mosbarrësimit të tjetrit. Kurrë nuk ankohet. Ku të gjejmë njerëz që nuk ankohen dhe na dëgjojnë ne kur ankohemi?

Miqësia që i reziston sprovës së kohës, Flutura Açka i kërkon ndjesë Rezarta Reçit

25 vjet janë mjaftueshëm për të nënkuptuar një miqësi të përjetshme, të pastër, të ndërtuar mbi themelet njerëzore të palëkundshme nga koha e sprovat. Në rrëfimin e saj për Rezarta Reçin  në “Ka Një Mesazh Për Ty”, Flutura Açka nuk u ndal vetëm te koha e tyre së bashku, por edhe te veçantitë që e  përbëjnë gazetaren një profesioniste, një njeri që nxjerr më të mirën e të tjerëve përmes cilësive të saj dhe një grua që s’dorëzohet.

Këto ia përcjell edhe përballë ekranit në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, me fjalë që i dalin lirisht nga zemra, shoqëruar me një ndjesë për kohën e munguar të tre viteve të fundit.


Flutura Açka: E dashur Rezi! Në fakt fjalët s’i kam zgjedhur, fjalët i zgjedh aty kur shkruaj librat, kur flet me zemrën, zemra nuk ka nevojë për fjalë shumë të  zgjedhura. Të falenderoj për atë që je, për  njerëzoren që më ke dhënë mua, për njerëzoren që i ke dhënë këtij rrethi miqsh të përbashkët. Ne kemi një histori të gjatë, shumë të bukur ç’është e vërteta, miqësie. Do të doja të bëja edhe një ndjesë, le të  jetë një ndjesë publike. Duket ndonjëherë kur njeriu hyn në politikë, duket sikur politika na e merr kohën dhe ma ka marrë kohën në një mënyrë të padrejtë dhe ne nuk jemi takuar aq shpesh këto tre vitet e fundit. Jo se jam e shkujdesur, por në ditëlindjet, në ngjarjet tona, nuk u jap atë kujdes të regjistrimit të axhendave, për shkak  të natyrës. Ti nuk ke harruar kurrë të kujtosh kur i kemi ditëlindjet dhe të përcjellësh emocion në momentin tonë më të vështirë. Veçmas në momentet, në vitet, në orët, në muajt që vazhdojnë sigurisht, duken pambarim, flas personale tani, ti ke qenë aty dhe ke qenë një sup ku kam pasur nevojë të qaj. Mbi të gjitha, Rezarta, ti je njeri që di të dëgjosh dhe kam kuptuar në këto tre vite të përballjes me ekranin, me politikën, rrallë e kam gjetur një njeri të dytë që të të dëgjojë. Mbi të gjitha do të doja të të falenderoja, besoj edhe në emër të shumë njerëzve të ekranit dhe televizionit  për punën e palodhur tënden dhe me shumë dashuri e dashamirësi në arkivimin e figurave që sot i mungojnë Shqipërisë fizikisht, por janë për shkak të dashurisë tënde. Më ka prekur shumë mënyra sesi e trajtoje personazhin, mënyrën si më ke trajtuar mua shumë të re, por edhe më pas, ka qenë një gjë shumë prekëse. Jam e bindur që edhe personazhe të tjerë të artit e kanë ndier këtë dorë kaq njerëzore.

“Të presësh dhe të durosh”, miqësia e Rezarta Reçit dhe Flutura Açkës fiton ‘garën’ me kohën

Për Flutura Açkën, miqësia e 25 viteve me Rezarta Reçin është një ndjesi e veçantë sepse për të ka qenë një mbështetje në ditë të vështira, një dorë njerëzore që e di mirë se njësoj si ajo, e kanë ndier edhe të tjerë, dikush që e ka dëgjuar dhe kujtuar kurdoherë.

Ajo ia shprehu të gjitha këto në “Ka Një Mesazh Për Ty”, duke mos lënë mënjanë as kontributin profesional të mikeshës së saj. Për Rezartën është një kujtim i bukur e që s’ia kishte marrë kurrë mendja se do të gjendej në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan për të dëgjuar këto fjalë. Gazetarja shprehet se miqësia me Fluturën ka triumfuar edhe mbi kohën ‘e rrëmbyer’ nga politika apo viteve të gjata.


Rezarta Reçi: Një miqësi me vlerë nga e cila besoj kemi mësuar edhe njëra, edhe tjetra reciprokisht. Është një miqësi që rrallë i reziston kohës, për fat i ka rezistuar kohës dhe nuk e kam humbur Fluturën as në këto tallazet politike. Jemi parë më rrallë…

Ardit Gjebrea: Por gjithmonë ka qenë aty!

Rezarta Reçi: Po!

Ardit Gjebrea: E njëjta!

Rezarta Reçi: E njëjta, për mua e njëjta, kjo është shumë e rëndësishme për mua në një miqësi, ta kuptosh tjetrin që tani ka punë, po bën shumë punë dhe të durosh.

Ardit Gjebrea: Dhe të presësh.

Rezarta Reçi: Dhe të presësh.

Ardit Gjebrea: Se e di që ja kur vjen, shiko si vjen!

Përpara se t’i drejtohej bashkë me Ardit Gjebrean kolltukut ku është vendosur Rezarta, shkrimtarja tha: “Po të kesh një lule, ti e bën një kopsht. Po të kesh një mik e bën një botë. Unë me Rezartën e kam bërë një botë”.

Në mesazhin e fundit për Rezartën, Flutura thotë se mes miqve të mirë e të shumtë që gazetarja ka, është edhe ajo.

Flutura Açka: Rezi, unë e di që në vendin tim këtu do të ishin shumë mikesha tuat, prandaj kjo ka qenë arsyeja pse Rezarta e ka pasur të vështirë të fokusohet se cilën do të fokusojë, ka shumë mikesha. Është e vështirë në këtë botë hektike të kesh miq kaq të mirë dhe Rezarta ka. Unë jam një prej tyre! Ishte rastësi që erdha unë, por për mua Rezarta është shumë, shumë, shumë e veçantë.

“Biri” i Flutura Açkës: Tani do të shkruaja ndryshe, zija ime ka ndryshuar

Pas ndarjes së mesazheve emocionuese për njëra-tjetrën dhe përvojave që i kanë shoqëruar në 25 vite miqësi, Flutura Açka dhe Rezarta Reçi tregojnë edhe për dhimbjen që i shoqëron. Pak vite më parë, anëtari i tretë i “grupit turistik”, djali i Fluturës u nda nga jeta në moshë të re. Siç tregoi Flutura gjatë “Ka Një Mesazh Për Ty”, të dyja e përjetuan fort dhe të udhëtonin pa të nuk ishte e përballueshme.

Në fund të rubrikës, teksa moderatori i së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea i dorëzon Fluturës kopjen e tij të “Birit” për një nënshkrim, ajo shprehet se sot do ta shkruante ndryshe këtë libër.


Rezarta Reçi: Kur të kesh kohë lexoje, sepse përfiton shumë jo nga dhimbja por nga rrëfimi. Është një rrëfm vërtet shumë tronditës sepse kalon nëpër një eksperiencë që… por merr për përmasat e jetës, për përmasat e vdekjes me të cilën duhet të mësohemi.

Ardit Gjebrea: Çfarë është ky libër për ty?

Flutura Açka: Shiko Ardit, në fakt po ta shkruaja tani do të shkruaja një libër tjetër. Është një Flutur e asaj kohe, jo se ka ndryshuar gjë, por do t’i shihja gjërat me një distancë tjetër. Ndoshta të mos e ngarkoja lexuesin aq, por nuk kam qenë unë, unë nuk e di kush ka qenë.

Ardit Gjebrea: Pse?

Flutura Açka: Sepse është… tani ka ndryshuar zija ime. Tani është një heshtë diku thellë meje që sa herë lëviz, më kësen kur themi ne. Atëherë ka qenë një formë tjetër, nuk e di, unë isha zija që ecja, ky është ndryshimi. Në ato kushte ti sigurisht bën një gjë që s’e kupton as vetë. Tani do ta dominonte shkrimtarja nënën, atëherë ka qenë në baraspeshë. Shpresoj ka qenë në baraspeshë, ky është ndryshimi. Kemi humbur një mik të përbashkët ç’është e vërteta.

Rezarta Reçi: Jerinin, po, që na mungon por e marrim prapë me vete se kjo është fuqia, të dish ta mbartësh birin edhe në ditë të bukura, edhe në ditë të vështira dhe Jerinin do ta kujtoj më thoshte “prapë foto teta Rezi?”, po, prapë foto, “nuk u lodhe me fotot?”

“Shihemi në Gjyq” – Dorëzanë për të dashurin e ish gruas

Gruaja iku dhe i la 3 fëmijët, Irakliu: Më tha ish-vjehrri “ka ardhur me tjetër”

Vasili është baba i 6 fëmijëve, por problemi që e ka sjellë në “Shihemi në Gjyq” është me djalin e vogël,  Irakliun. Nga ana tjetër, ky pretendon se nuk ka përkrahje nga prindërit dhe ata do ta nxjerrin në rrugë bashkë me 3 fëmijët e tij.

Në përballjen e tyre në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, babai i kërkon shpjegim djalit për një letër nga banka, por ai thotë se nuk e di si ka ndodhur.


Vasil: Më ka rënë një bombë shumë e madhe! Në këtë moshë 80 e ca vjet, në këto dyer, nuk kam pasur as prindërit e mi dhe qëlloi ky djali im, sesi e ka bërë punën, këtu të japë shpejgim!

Irakli: Ku të vete unë? Me 3  kalamaj? Ore unë me 3 fëmijë ku të vete?

Vasil: Ku të vesh ti? Dua ta di unë ku do të vesh ti?

Irakli: Do ta dish ti?

Vasil: Po ai dokument që më ka ardhur mua nga banka?

Irakli: Atë nuk e di unë sesi është bërë!

Eni Çobani: Jo mo jo, si nuk e di ti tani? nuk mund t’i thuash babait moshatar se je fëmija i gjashtë, ka rritur 6 fëmijë!

Vasil: Ai dokument që më ka ardhur mua nga banka!

Irakli: Unë nuk e kuptoj sesi është bërë ai dokument!

Vasil: Më ka ardhur një plumb i vërtetë! Më ke sjellë sherr të madh!

Irakli: Edhe vetë nuk e kuptoj se unë nga ajo kam 4 vjet që jam ndarë!

Irakliu rrëfen se në vitin 2021 është ndarë nga bashkëshortja me të cilën ka 3 fëmijë. Në vitin 2022, është finalizuar divorci. Sipas tij, një ditë ajo thjesht është larguar për te prindërit e saj bashkë me vajzën e vogël. Ish-vjehrri ka telefonuar Irakliun dhe i thotë se e bija i ka sjellë një burrë tjetër në shtëpi.

Irakli: Ajo ka ikur në 2021, në shtator. Në shtator 2022 unë kam bërë ndarjen ligjore.

Eni Çobani: Pse u ndave, çfarë pate?

Irakli: Ajo, as unë as’e mora vesh. Ajo pati ca konflikte kështu, gjëra koti a kupton? Erdhi e ëma, u bë operim nga këmbët, tha “do të shpie mamin në shtëpi”. I thashë unë çoje, do të marr edhe gocën e vogël me vete tha. Mori edhe gocën e vogël, më merr i ati mua, më thotë “ka ardhur me dikë tjetër”. Rruga e mbarë i thashë, ç’të them unë?

Eni Çobani: Si ka ardhur me dikë tjetër?

Irakli:Ka ardhur me tjetër në shtëpi”, tha i ati.

Eni Çobani: Si erdhi me tjetër? Ti e përcolle nga shtëpia se tani jeni burra ju a s’jeni unë s’e kuptoj, përcolle nusen, si shkoi me tjetrin atje në shtëpi se s’e kuptova?

Irakli: Vajti te i ati pra.

Vasil: Jepi derman punës po të them!

Irakli: Ulu atje, ulu atje.

Vasil: Gjeje të vërtëtën.

Irakli: Mua nuk më kujtohet ajo firmë.

Eni Çobani: Ore Irakli! Gruan e përcolle te babai, të merr vjehrri të thotë ka ardhur me tjetër, firmos letrat e bankës, thua nuk e di, 3 fëmijët t’i la gruaja, prapë s’na thua si i mban ti, tani të lutem, jeton ti këtu apo s’jeton? Ku jeton ti? Si s’ke mendjen ti çfarë veprimesh kryen?

Del dorëzan i 22 mijë eurove kredi për bashkëjetuesin e ish-gruas: S’më kujtohet si firmosa

Vasili e ka sjellë djalin e tij të vogël, Irakliun në “Shihemi në Gjyq” për t’i kërkuar llogari mbi një letër nga banka që ka mbërritur në shtëpinë e tij. Irakliu tregoi në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan se prej 4 vitesh është ndarë nga ish-gruaja me të cilën ka 3 fëmijë. Ai tha se një ditë ajo u largua për në shtëpinë e prindërve dhe ish-vjehrri e njoftoi se kishte ardhur me një burrë tjetër.

Ndërmjetësja Eni Çobani shpjegon se në shtator të vitit 2021  çifti i është drejtuar gjykatës dhe një vit më vonë, është finalizuar divorci. Gjykata ia ka  caktuar Irakliut kujdestarinë e 3 vajzave sepse siç sqaron ai, ishte dëshirë e nënës për shkak të pamundësive ekonomike.

Por disa muaj  pas divorcit, rezulton se Irakliu ka firmosur një deklaratë ku rezulton dorëzan për një kredi. Kjo kredi është marrë nga ish-gruaja dhe një burrë tjetër që Irakliu thotë se nuk e njeh dhe nuk e kujton si ka ndodhur.


Eni Çobani: Më 16.03.2023 ky zotëri këtu ka vajtur në një degë të një banke dhe ka bërë një deklaratë dorëzanie.

Ardit Gjebrea: Ç’domethënë?

Eni Çobani: Ka vajtur dhee thotë unë dorëzanësi, garantoj bankën, dega, sigurisht unë nuk po i them për të gjitha detyrimet e huamarrësit Valdrin Sulanaku.

Ardit Gjebrea: Kush është?

Irakli: S’e njoh.

Eni Çobani: Po si s’e njeh?

Ardit Gjebrea: Po ti ke firmosur.

Eni Çobani: Në lidhje me huanë që ai ka marrë në përputhje me kontratën e huasë me numër përkatës në datën 17.03.2023. Njëkohësisht, huanë që ky zotëri ka marrë detyroheni që në mospërmbushje të këtij detyrimi, ta përmbushni ju.

Ardit Gjebrea: Kush, Irakliu? Të këtij personit që Irakliu thotë nuk e njoh?

Eni Çobani: Këtu ka emër, mbiemër, ka firmën e tij, ka dhe kartën e identitetit.

Ardit Gjebrea: Po si nuk e njeh?

Irakli: Nuk e njoh.

Ardit Gjebrea: Po e ke firmosur ti?

Irakli: Po s’më kujtohet mua.

Ardit Gjebrea: S’të kujtohet?

Irakli: S’më kujtohet kjo pjesë.

Ardit Gjebrea: Po z. Vasil ku hyn në këtë mes?

Eni Çobani: Sepse zotëria jeton te Vasili, nuk ka as shtëpi, as katandi,  ka vetëm një të ardhur mujore 500 mijë lekë të vjetra. Jeton me 3 fëmijët e tij minorenë, me prindërit moshatarë dhe çfarë ndodh? Më 09.01.2025 me të drejtë vjen njoftimi për likuidimin e dertyrimit të kredisë sepse nuk është paguar asnjë këst dhe shuma sot, ka vajtur zotëri 23 mijë e 964.28 euro dhe çdo ditë që ju s’paguani kamatëvonesa rritet. Çobani tregon se kur letra ka mbërritur në shtëpinë e tij, Vasili është paraqitur menjëherë në zyrën e saj duke i kërkuar një shpjegim. Ajo i ka sqaruar situatën ku

gjendet dhe e ka vënë në dijeni se në rast se kjo kredi nuk shlyhet, do t’i marrin shtëpinë. Irakliu thotë se s’i ka marrë ai 22 mijë euro kredi, por ish-bashkëshortja me bashkëjetuesin e saj.

Irakli: Ish-bashkëshortja ime është aty në emër, bashkë me atë emrin tjetër që përmend, nuk e di.

Ardit Gjebrea: Ç’lidhje ka ish-bashkëshortja me atë emrin tjetër?

Irakli: Ku di gjë unë, mbase e ka bashkëjetues a ku di unë çfarë e ka.

Vasil: Nuk e pranoj unë se është ndarë, ka 4 vjet, nuk dua ta zë në gojë!

Eni Çobani: Nuk do ta zësh në gojë, por ka marrë kredinë ajo që s’do ta zësh në gojë ti! Pra ky është bashkëjetuesi i ish-bashkëshortes. Pra ky ka marrë dhe është bërë dorëzanës i një kredie të bashkëjetuesit të ish-gruas!

Situata e çuditshme ka shokuar gjithë studion, teksa Irakliu thotë se ende nuk e kupton as si e ka firmosur dhe as si ka shkuar në bankë.

Ardit Gjebrea: Si e firmose ti këtë?

Irakli: S’e kujtoj fare këtë sesi e kam firmosur, nuk e di çfarë gjendjeje kam qenë.

Ardit Gjebrea: A ke qenë i divorcuar?

Irakli: Kam qenë i divorcuar…

Ardit Gjebrea: Okej, nuk e ke kuptuar si ke firmosur. Për cilin motiv një burrë i divorcuar shkon me gruan në bankë? Pse shkove?

Irakli: As vetë nuk po e kuptoj.

Ish-gruaja konfirmon: Irakliu firmosi për kredinë e bashkëjetuesit tim, është zhdukur prej muajsh

Një deklaratë dorëzanie për një kredi prej 22 mijë eurosh ka sjellë në “Shihemi në Gjyq” babë e bir,  Vasilin me Irakliun. Ky i fundit është divorcuar nga ish-gruaja, Rigelsa me të cilën ka 3 vajza dhe kujdestaria i ka mbetur atij. Bashkë me vajzat, Irakliu jeton në shtëpinë e Vasilit që rrezikohet nga kjo deklaratë dorëzanie.

Siç shpjegoi Eni Çobani gjatë rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, rezulton se kredia është marrë disa muaj pas divorcit të tyre. Irakliu ka dalë dorëzanës për Rigelsën dhe bashkëjetuesin e  saj, Valdrinin.  Sipas kësaj deklarate, nëse dy të parët nuk shlyejnë kredinë, shoqëria do të marrë shtëpinë e Vasilit.

Deri në këtë moment, Irakliu thotë se nuk mban mend të ketë firmosur apo të ketë shkuar në bankë,  ndonëse dokumentet mbajnë nënshkrimin e tij dhe fotokopjen e kartës së identitetit. Rigelsa, ish-gruaja e tij në një lidhje teleofnike në studio thotë se Irakliu ka qenë i pranishëm. Madje asaj i janë hapur probleme sepse akuzohet për mashtrim  firme.


Rigelsa: Unë kam folur me z. Irakli dhe z. Irakli ka qenë prezent kur ka hedhur firmën.

Eni Çobani: Po Irakliun e kemi këtu dhe Irakliu thotë që unë s’mbaj mend fare.

Irakli: Nuk më kujtohet  moj!

Eni Çobani: Rigelsa e mban mend shumë mirë që ke vajtur, arsyeja?

Rigelsa: Irakliu ka qenë prezent që ka hedhur firmën, më pas e kam marrë prapë Irakliun sepse mua më ka marrë zyra ligjore në telefon dhe më ka thënë që akuzohesh për mashtrim firme.

Irakli: Se s’më kujtohet, nuk më kujtohet, ia kam thënë edhe zyrës ligjore unë, nuk më kujtohet të kem vajtur!

Rigelsa: Atëherë nëse ty s’të kujtohet z. Irakli, shkojmë te banka kur të vij në Tiranë sepse unë jam në fshat tani te prindërit dhe unë do të kërkoj që të hapen kamerat.

E pyetur se cila ishte lidhja mes saj e ish-bashkëshortit pas divorcit, Rigelsa tha: “Asgjë nuk na lidhte neve, thjesht ishte diçka e  shpejtuar nga Irakliu sepse nuk është normale që të hedhë Irakliu firmën për bashkëjetuesin tim, jo për burrin tim, për bashkëjetuesin tim!” Ajo konfirmon se Valdrini është bashkëjetuesi i saj, ndërsa kredia nuk është shlyer prej muajsh, përveç ndonjë kësti kur kanë mundur.

Rigelsa ngulmon se Irakliu e mban mend mirë që ka qenë i pranishëm. Ajo thotë se nuk ka asnjë arsye që të merret shtëpia e Vasilit kur është ajo e Valdrinit, por ndërmjetësja i shpjegon se Irakliu është dorëzanësi. Ai nuk ka asnjë pasuri tijën dhe rrjedhimisht do të merret shtëpia e Vasilit. Rigelsa kundërshton duke thënë se edhe pse prej muajsh ka humbur kontaktet me bashkëjetuesin, do të jetë ai që do ta paguajë kredinë.

Rigelsa: Irakliu të mos thotë nuk mbaj mend fare.

Eni Çobani: Si nuk mbaj mend? Nuk mban mend pra!

Rigelsa: Në këtë pjesë që po thotë Irakliu nuk mbaj mend, akuzohem unë për mashtrim firme!

Eni Çobani: Çfarë doje ti në mars të ’23-shit me Irakli Milon? Ishe divorcuar në shtator të ’22-shit. Vetëm këtë përgjigje më jep, kaq! Kaq, çfarë doje ti në mars të ’23-shit?

Rigelsa: Këtë nuk e menduam thellë-thellë, neve thamë… diçka e pamenduar shumë.

Eni Çobani: Rigelsa, ju keni pasur besimin sepse ky djalë që unë shoh këtu, është një djalë shumë i mirë, një djalë i urtë, një djalë pa fjalë, ke pasur besimin që ky sigurisht duke mos kuptuar edhe veprimin që ka bërë sepse unë jam e bindur në fakt që ky ka qenë sepse firma patjetër që vërteton gjithçka pavarësisht faktit që thotë unë nuk mbaj mend, edhe mund të mos mbajë mend, por ju keni qenë e bindur që ky djalë sikurndër edhe e thatë, nuk do të ndihet, nuk do të flasë, të vazhdonte  kjo histori kështu dhe në fund patjetër që kjo barrë do t’i binte vetëm Irakliut se Irakliu edhe këtu mezi po thotë dy fjalë, pra më shumë folët ju gjatë  këtyre mintuave sesa Irakliu deri tani. Unë e kuptoj pse ju e keni marrë  sepse nuk ju është ofruar askush nga familjarët tuaj dhe keni gjetur këtë njeri, e keni çuar dhe e keni marrë. Kjo në fakt është e padrejtë, jo e paligjshme sepse njerëzit janë të rritur dhe bëjnë veprimet që duan, por është e padrejtë nga ana juaj. Ju me bashkëjetuesin tuaj shkoni dhe merrni ish-bashkëshortin tënd dorëzanës për një kredi të cilën ky njeri nuk ka parë asnjë lek në dorë. Lekët i keni marrë ju dhe ky njeri ka ardhur aty,  urtë e urtë pas teje, ka firmosur dhe sot e keni lënë në këtë ditë. Atëherë unë dua të di nga ju, e merrni përsipër të shlyeni këtë kredi dhe për sa kohë e kryeni këtë veprim? Nuk mund të presim Valdrinin, Valdrini nuk dihet se ku është sikundër e thatë, atëherë ju që jeni këtu, do të na jepni një afat për zgjidhjen e këtij problemi unë do të marr kontaktin e shoqërisë?

Rigelsa: Unë nuk mund të paguaj kredinë e Valdrinit.

Eni Çobani: Po Valdrini është bashkëjetuesi juaj, nuk është bashkëjetuesi i Irakliut.

Rigelsa: Valdrini është bashkëjetuesi im, por Valdrini ka 4-5 muaj që është zhdukur nga unë dhe nuk e di ku është Valdrini.

Eni Çobani: Po atëherë çfarë do të bëjmë? Kush do ta paguajë kredinë?

Rigelsa: Valdrini që e ka marrë.

“Dele e Perëndisë”/ Irakliu mban barrën e gabimit fatal të ish-gruas, Gjebrea: Bashkëjetuesi ta ka hedhur

Rigelsa, ish-bashkëshortja e Irakliut me të cilin është ndarë prej 4 vitesh, konfirmon gjatë telefonatës me rubrikën e “Shihemi në Gjyq” se ai ka qenë i pranishëm dhe ka firmosur si dorëzanës për bashkëjetuesin e saj, Valdrinin. Kështu ajo rrëzon pretendimet e ngritura  deri më tani nga Irakliu se nuk mban mend asgjë lidhur me këtë kredi që sot kërcënon t’i marrë shtëpinë e të atit, Vasilit që e ka sjellë në rubrikën e së “Dielës  Shqiptare” në Tv Klan.

Vazhdimin e bisedës me Rigelsën e merr në dorë drejtuesi i së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea. Rigelsa i konfirmon se ajo dhe Valdrini janë ende bashkë. Paratë nuk i ka marrë as ajo e as Irakliu, por Valdrini. Gjebrea i shpreh se fakti që ajo i është drejtuar Irakliut për të firmosur për bashkëjetuesin e saj nuk është aspak logjik dhe po sjell pasoja në familjen e Irakliut.

Irakliu ka ulur kokën dhe përlotet, një skenë që Gjebrea ia përshkruan Rigersës duke i thënë se deri në këtë moment, ai dhe ish-vjehrri i saj s’kanë thënë asgjë të keqe për të. Njëkohësisht, fakti që shtëpia e Vasilit rrezikohet nga kjo kredi sjell edhe mundësinë që tri vajzat e Rigelsës dhe Irakliun të mbeten në rrugë. Rigelsa reagon duke thënë se kjo s’do të ndodhë dhe ajo do të bëjë gjithçka për të kontaktuar me  bashkëjetuesin e zhdukur prej disa muajsh.


Ardit Gjebrea: Irakliu vetëm ul kokën dhe s’flet dhe tashmë ne e kemi kuptuar karakterin e tij. Ky është një njeri që mund ta quaj një dele e Perëndisë, është ai që është dhe që thotë nuk mbaj mend për të të ruajtur edhe ty, nuk ka thënë asnjë fjalë të keqe në favorin tënd, as ai dhe Vasili, përkundrazi dhe kanë treguar historinë sesi është. Ti duke e ditur që është dele e Perëndisë, e more për dore, e çove të firmosë  dhe këtë barrë ia ke lënë Irakliut.

Rigelsa: Jo, nuk e kam marrë për dore.

Ardit Gjebrea: S’e ke marrë për dore, por në njëfarë mënyre, si mund të shkosh te ish-bashkëshorti dhe ta bësh dorëzanë për njeriun me të cilin ti bashkëjeton?

Rigelsa: Ja që ndodhi ky gabim, pa e menduar unë ndodhi dhe pa e menduar Irakliu, ndodhi.

Ardit Gjebrea: Në atë shtëpi që rrezikohet që të merret jetojnë edhe fëmijët e tu, e ke menduar këtë?

Rigelsa: Po.

Ardit Gjebrea: Po ku do të shkojnë fëmijët e tu?

Rigelsa: Dhe atëherë përse shihet si pikë të merret shtëpia e Irakliut dhe e Vasilit dhe të mos merret shtëpia e Valdrinit?

Ardit Gjebrea: Sepse në dokumente nuk është dorëzanë Valdrini, po të ishte Irakliun s’e kishe futur fare  ti. Në dokumente, nëse Valdrini nuk paguan, dorëzanë është Irakliu dhe sipas ligjeve të shtetit merret shtëpia e Irakliut që do të thotë e dashur, nëse ti nuk e di këtë gjë, atëherë më fal por ta ka hedhur Valdrini i cili të ka përfshirë edhe ty, nuk ka firmosur ai për përgjegjësinë e dorëzanisë, ia ka lënë Irakliut,  ndoshta ti ke besuar te Valdrini, unë po e marr të mirëqenë këtë që thua ti dhe Valdrini ta ka hedhur ty dhe ia ka hedhur edhe Irakliut të shkretë dhe të ka mbushur mendjen ty hajde marrim Irakliun dhe e ka ngrënë Irakliu. Kjo është situata e dashur, më kupton? Ti sapo na the tani që ai është zhdukur dhe nuk e di se ku është 4 muaj, pra ta ka hedhur ty dhe mbi të gjitha, viktima më e madhe është Irakliu dhe në fund, fëmijët e tu që gjëja e fundit që unë besoj në këtë botë është që ty mos të të dhembin fëmijët e tu apo jo? Ty të dhembin fëmijët e tu apo jo?

Rigelsa: Normale që më dhembin.

Ardit Gjebrea: Bravo Rigelsa dhe ky problem shkon deri te fëmijët e tu.

Rigelsa: Ky problem nuk do të shkojë fare as te fëmijët e mim as te Irakliu sepse unë do të kthej çdo gur dhe Valdrinin do ta gjej! Atë kredi do ta paguajë vetëm Valdrini, as unë dhe as Irakliu!

“Të Panjohurit” – FABIAN BAKO

/tvklan.al