Edicioni i 24-t i “Kënga Magjike” u kurorëzua me 47 këngë në netët finale.

“AKOMA” nga Rozana Radi & Sany Dimitri u shpall kénga fituese.

Në studion e “E Diela Shqiptare” këngëtarët diskutojnë ekskluzivisht prapaskenat e festivalit dhe detaje ekskluzive nga këngët e tyre.

Incidenti gjatë zbulimit të gjinisë, Xheisara e pret me humor: Mendova se fitova bastin

Përmes një surprize të veçantë në Pallatin e Koncerteve, Xheisara ndau në natën finale të “Këngës Magjike” lajmin se do të bëhet nënë për herë të parë. gjithashtu, përmes dritave të skenës ajo mësoi gjininë e bebit, ndonëse ndodhi një ngatërresë e vogël.

Fillimisht dritat ishin blu e  më pas kaluan në rozë duke konfirmuar se është në pritje të një vajze. Duke e komentuar këtë në post “Kënga  Magjike” në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Xheisara tha se ishte e sigurt se do të qe djalë e madje mendoi se kishte fituar një bast.


Xheisara: Dje kam qenë shumë e emocionuar dhe kisha një mal me emocione. Në momentin e parë që e kam parë blu mendova që kisha fituar një bast që e kisha vënë me mikun tim më të mirë që kishte gjatë gjithë kohës që më thoshte ti do të bësh një vajzë dhe unë i thoja që jo, unë do të bëj një djalë. Unë e thashë që gjithë jetën kam dashur të kem një vajzë, por nuk e di pse qëkur kam qenë shtatzënë, dshira ime ishte që të kisha djalë dhe isha fiksuar që unë beben e kisha djalë. Kur doli djalë aty, thjesht pata një reagim të menjëhershëm se isha unë ajo që e gjeta, ishte ajo ndjesia e mëmësisë që okej, ia dola. Kur na e ndërroi Aldo që ishte vajzë, patjetër që jam shumë e lumtur për arsyet që i thashë, por më bëri pak konfuze. Do të shkoj ta kontrolloj edhe njëherë tjetër se nuk jam shumë e sigurt. (qesh)

Ardit Gjebrea: Shiko, ndoshta ai gabim nuk u bë rastësisht. Bëj shaka, nuk di ka gabuar doktori apo jo.

Xheisara: Gjithsesi, unë jam shumë e lumtur për këtë pjesë dhe jam shumë e lumtur që e ndava këtë gjë mes jush dhe patjetër do të jem mami i një vajze, shpresoj që të bëhet edhe ajo një ditë superstar.

“Nga spektaklet më të mira”, Kleart Duraj zbulon përshtypjet e Sony dhe Warner për “Këngën Magjike”

Kategoria “New Artist” mori një vëmendje të veçantë në “Këngën Magjike” pasi në natën finale të  saj nuk u vlerësua vetëm më i miri, por pati çmime edhe për performancat e tjera. Sareta Bega mori çmim nga Warner Music, ndërsa Jett nga Sony Music Entertainment.

Kleart Duraj, anëtar jurie dhe përfaqësues i këtyre shtëpive diskografike për Shqipërinë dhe Kosovën, zbulon në “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, përshtypjet e përfaqësuesve për festivalin magjik.


Kleart Duraj: Kam përshtypjen që mund të gjykohet pak si e anshme eksperienca ime kështu që nëse më lejon, unë dua të ndaj opinionet e atyre dy partnerëve të mi ndërkombëtarë, nga Menart, përfaqësuesi ekskluziv i Sony për gjithë Ballkanin Perëndimor dhe të Dancing Bear që është i Warner Music të cilët u mahnitën me nivelin e spektaklit dhe të festivalit të “Këngës Magjike”. Mos të kalojmë në krahasime të shumta, por pa diskutim në nivelin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, është nga spektaklet më të mira të prodhuara dhe ky është opinioni i tyre, për nivelin e artistëve që marrin pjesë, këngëve, produksionin e tyre, tekstet, pastaj kur kalon përshrkimin e spektaklit në skenë që do të thotë skenografia, ndriçimi, gjithë paketimi i të gjitha akteve. Është një festival që u jep mundësinë artistëve dhe sidomos atyre të rinjve që të nisin një karrierë dhe të shfaqen përpara publikut. Kjo nuk është e vetmja gjë, kjo shkon edhe diçka më tej sepse ky spektakël organizohet nga Tv Klan që u jep mundësinë që këta artistë të vazhddojnë të transmetohen në të gjitha rrjetet e Tv Klan, në radio dhe jo vetëm, në rrjete sociale, në platforma dhe arti i tyre e artistët vetë të jenë gjithë kohën në vëmendjen e publikut dhe ky është një promovim shumë i rëndësishëm.

“Ke bërë qoka!” Anxhela Peristeri u përgjigjet akuzave të Tiri Gjocit: Këngët e tjera ishin më të bukura se jotja!


Në post “Kënga Magjike” që mbahet në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan është traditë që të diskutohen jo vetëm arritjet, çmimet e festivalit, të falenderohen bashkëpunëtorët e mbështetësit e këngëtarëve,  por të trajtohen edhe pakënaqësitë mes njëri-tjetrit.

Tiri Gjoci mori fjalën gjatë temës së pikëve duke shprehur pakënaqësi fillimisht ndaj Andi Vrapit që e kishte votuar me 22 pikë. Por nuk mbaroi me kaq pasi ai kishte rezerva edhe ndaj Anxhela Peristerit që e ka vlerësuar këngën e tij, “Mos ik o ma”, me 4 pikë. Sipas Tirit, vlerësimet e saj kanë qenë ‘qoka’, ndërsa Anxhela s’trembet për t’i bërë pyetje të drejtpërdrejta.

Tiri Gjoci: Çfarë kishte më shumë ajo që ishte me 6 pikë më shumë sesa kënga ime? Kaq.

Anxhela Peristeri: Tiri, dëgjo, të gjithë artistët që janë këtu sot mendoj që janë të votuar nga unë, fatmirësisht kanë ardhur nga këta artistë që të të ngrija ty?

Tiri Gjoci: Zemra, ke bërë qoka nga fillimi deri në fund.

Anxhela Peristeri: Kjo është pyetja që po të bëj unë ty.

Tiri Gjoci: Ke bërë qoka nga fillimi deri në fund. Ke votuar ata që këndon nëpër ‘live’…

Anxhela Peristeri: A ka mundësi t’i përgjigjesh pyetjes?

Tiri Gjoci: Është diçka që përsëritet vit pas viti.

Anxhela Peristeri: Këngët e mia të preferuara kanë dalë të gjitha në treshe, Rozana Radi, Ronela Hajati, Pirro Çako dhe Arilena Ara…

Ndërsa Anxhela vijon t’i përmendë të gjithë këngëtarët që ka vlerësuar dhe çfarë veçon nga këngët e tyre, Tiri i kundërvihet me një kompliment që ka marrë prej saj në ‘afterparty’. Anëtarja e jurisë u përmbahet fjalëve të saj, por s’ngurron ta përmbyllë diskutimin duke i përplasur një të vërtetë në sy këngëtarit.

Anxhela Peristeri: Kënga jote nuk ishte në shijet e mia se më pyete dhe pastaj mund të flasësh! Mua mos më thuaj për qoka sepse unë jam e vetmja këngëtare që nuk kam bërë qoka as kur kam qenë në konkurrim! Votat e mia janë të dukshme dhe këngëtarët i ke këtu!

Tiri Gjoci: Mbrëmë jemi takuar te ‘afterparty’ dhe më ke thënë Tiri, më ke bërë për të qarë.

Anxhela Peristeri: Po, më ke bërë për të qarë, është e vërtetë.

Tiri Gjoci: E pashë, sa më ke votuar me 4 pikë.

Anxhela Peristeri: Më ke bërë për të qarë sepse ke një këngë me tematikë që vërtet të bën për të qarë, por unë këngë me tematika kaq të dhimbshme nuk i pëlqej dhe këtë e dinë të gjithë sepse mua më futin në një gjendje depresive që nuk dua ta përjetoj.

Andi Vrapi: Sa pikë ka dashur se 22 nuk i pëlqejnë, 4 nuk i pëlqejnë, sa pikë doje?

Tiri Gjoci: Nuk ka lidhje fare me pikët.

Andi Vrapi: Po atë po na përmend.

Anxhela Peristeri: Që ta mbyllim këtë diskutim, për mua këngët e tjera ishin shumë më të bukura se kënga jote.

“Si mund të më vësh 0 pikë?” Përplasen ashpër dy këngëtarët: S’e kam dëgjuar fare këngën tënde!

Tiri Gjoci është një nga artistët që shpreh pakënaqësi ndaj kolegëve e jurisë në post “Kënga Magjike” që mbahet në programin “E Diela Shqiptare”  në Tv Klan. Pas përplasjeve me Andi Vrapin e Anxhela Peristerin, moderatori Ardit Gjebrea i solli ndërmend se ai ka votuar me 0  pikë shumë prej artistëve, ndër ta edhe Xheisara që është vlerësuar si një nga performancat më të mira të kategorisë “New Artist”.

Xheisara e pyet drejtpërdrejt se çfarë nuk i pëlqeu te kënga e saj duke i renditur të gjithë elementët. Tiri thotë se në listën e tij, kënga e Xheisarës ishte e renditur në vend të 18-të.


Xheisara: Nëse unë isha e 18-a në radhë, ti ishe shumë më poshtë. Nëse ti kishte një këngë që vërtetë unë nuk ta kam dëgjuar fare po fare, se që nga titulli, unë kam qenë shumë e ndjeshme këtë periudhë, s’e kam humbur babain dhe kam qenë shumë e ndjeshme. Në asnjë moment nuk e kam dëgjuar këngën tënde dhe kur ti ke kënduar, unë kam preferuar të dal jashtë mos ta dëgjoj, sepse unë jam shumë e ndjeshme. PPor përsëri unë, duke pasur parasysh se ishte një tekst shumë i mirë dhe se ti je një këngëtar shumë i mirë, në asnjë moment nuk të lashë pa pikë.

Tiri Gjoci: Faleminderit shumë për të gjitha ato fjalët, por çfarë lidhjeje ka kjo me 0 pikëshin që të dhashë?

Xheisara: Po patjetër që ka lidhje me 0 pikëshin mo! Si mund të më japësh ti mua 0 pikë?

Tiri Gjoci: Po pse mo shpirti ça je ti që si mund të më japësh ti mua 0 pikë? Avash mo zemra qetësohu!

“Juria e vërtetë jeni ju!” Gjebrea rrëzon mitin e paracaktimit të fituesit: Gishtin mbajeni te vetja

Stiv pati një nga këngët më virale në “Këngën Magjike”, por kjo nuk i ka mjaftuar këngëtarit. Në post “Kënga Magjike” që mbahet në programin e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, ai pyeti Marsela Çibukajn nëse kënga e tij meritonte 0 pikë prej saj. Sipas tij, juria duhet të ketë standarde të tjera vlerësimi nga  ato që kanë vetë artistët.

Në këtë pikë ndërhyri Ardit Gjebrea duke i renditur Stiv një mori artistësh që ai i ka vlerësuar me 0 pikë si dhe faktin që ai vetë ka qenë në kategorinë  e artistëve të rinj që sapo ka kaluar si “Big”. Producenti i “Këngës Magjike” iu drejtua jo vetëm atij, por të gjithëve që kanë kundërshtime për pikët pasi fletët e tyre të votimit flasin vetë dhe kanë peshën më të madhe.


Gjebrea përmendi edhe debatin e përhershëm që rrethon festivalin (ndonëse jo vetëm “Këngën Magjike) për paracaktimin e fituesit duke theksuar se juria e vërtetë në këtë sistem votimi janë artistët.

Ardit Gjebrea: Për mua nuk bën sens sepse ju duhet të kuptoni vetëm një gjë. Në këtë festival pikët tuaja janë gjithsej 15.752 pikë i kanë vetëm artistët, pra ju jeni juria, nuk është juria kryesore as juria dhe as publiku, ju jeni juria që vendosni që do të thotë në fund të ditës ja ku jeni ju këtu se po të ishte vetëm për jurinë ose vetëm për publikun, mund të ishin edhe këngëtarë të tjerë këtu që nuk kanë kënduar dhe është ky sistemi cili nuk e paracakton fituesin që të jemi të qartë se gjithmonë flitet “paracaktohet fituesi”, në cilin rast? Ju votoni vetë për njëri-tjetrin dhe ju jeni juria. Juria që sheh ti këtu ka gjithsej 3580 pikë në dispozicion, ndërsa juria e këngëtarëve ka 15.752 dhe juria e natës finale e “Këngës Magjike”, e publikut ka 1350. Pesha e madhe jeni ju dhe për sa kohë që ju jeni juria kryesore, gishtin mbajeni te vetja, mos u merrni me jurinë se ata s’kanë as ¼ tuaj në dorë. Ju e keni peshën e madhe! Juria e vërtetë jeni ju!

“Keni 3 javë që u bëni fresk Arilenës e Pirros!” Andi Vrapi s’kursehet: Tani që e ftohët, u largua..

Në post “Kënga Magjike” që është traditë e përhershme e festivalit dhe mbahet në programin”E Diela Shqiptare” në Tv Klan,  pati një tjetër përplasje mes Tiri Gjocit dhe Andi Vrapit. Pas debateve të mëparshme mes këngëtarit të “Mos ik o ma” dhe gazetarit, Tiri vazhdoi duke thënë se nuk është vlerësuar si duhet nga juria e kolegët.

Mes artistëve, ai veçoi Fifin si një nga ato që i ka dhënë 30 pikë e duke vijuar ta vendoste në nivel sipëror në raport me konkurrentët e tjerë. Vrapi u kundërpërgjigj duke i thënë se pas tri javësh që artistët ankohen për paracaktimin e çmimit dhe tërheqjen e emrave që janë lakuar mes tyre se do të ishin fitues, kanë besim te materialet e tyre muzikore.

Tiri Gjoci: Me thënë të drejtën, nga ky festival mora 30 pikët e Fifit dhe jam shumë i lumtur sepse tani,  unë vetëm para 3-4 ditësh e kam njohur Fifin, nuk e njihja, tani më bën sens gjithë gjëja, pse Fifi ka atë sukses që ka, pse është ajo që është dhe pse ka më shumë sukses se 99.99% e artistëve që gjenden këtu.

Andi Vrapi: Vetëm se të dha 30 pikë?

Tiri Gjoci: Po patjetër, se më dha mua 30 pikë, la tre artistët e vet jashtë 30 pikëshit.

Andi Vrapi: Ardit shiko se kjo është shumë për të qeshur se kemi 3 javë që i dëgjojmë që ankohen, kanë  ardhur për t’u bërë fresk Arilenës dhe Pirros, por më duket se Pirron e ftohën dhe ngeli jashtë Pirro.

Tiri Gjoci: Për të qeshur është Beyonce që ke dëgjuar ti në koncert, nuk janë këto për të qeshur.

Andi Vrapi: Keni tre javë që ankoheni që çmimi do i jepet Pirros dhe Arilënës, tani na dilni që keni vetëbesim.

Tiri Gjoci: Kush është ankuar?

Andi Vrapi: Shumica prej jush.

Tiri Gjoci: Mos m’u drejto mua.

Andi Vrapi: Ti kur u drejtove këtej nga juria na fute të gjithëve,edhe ty po të fus bashkë me të tjerët që ankoheni për Pirron dhe Arilenën që keni ardhur për t’u bërë fresk dhe nga ana tjetër e ftohët Pirron dhe u largua e tani ju doli vetëbesimi për këngët që i paskeni.

Për herë të parë, Ardit Gjebrea zbulon sekretin e sistemit të votimit të “Këngës Magjike”

Nisur nga përplasja mes Tiri Gjocit dhe Andi Vrapit në post “Kënga Magjike” për sistemin e pikëve, mosvlerësimin e tyre dhe fjalët mes artistëve se fituesi është i paracaktuar, Ardit Gjebrea mori fjalën për të qartësuar të gjitha palët.

 Drejtuesi i programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan dhe producenti i festivalit magjik, shpjegoi për herë të parë sekretin e sistemit të votimit. Në thelb, sistemi ka një parim të thjeshtë: artistët janë juria e madhe dhe e vërtetë e festivalit. Duke pasur vetë ata në dorë pjesën dhe peshën më të madhe të pikëve, kjo nxjerr në pah artistët e vërtetë.

Ardit Gjebrea: Për sa i përket kësaj që sapo tha Andi, gjithmonë edhe shkruhet, edhe spekulohet, vetëm një gjë duhet të keni parasysh: sistemi i votimit që ju të gjithë po merreni pse më dhe mua zero, gjithmonë shijet janë subjektive dhe këtë gjë nuk e them unë, por e thonë të gjithë. Askush nuk mund të thotë pse ti kështu dhe pse ti ashtu? Çfarë bën ky sistem votimi dhe cili është sekreti i këtij sistemi që po e them sot për herë të parë. Çfarë ndodh me Festivalin Europian të Këngës? Aty votohen vetëm 10 këngë dhe marrin pjesë 42 dhe një natë janë 26 këngë, në natën tjetër, natën finale dhe bëhet votimi i këngëve. Në “Këngën Magjike”, fillimisht më kujtohet njëherë kur ka fituar në një festival Ema Bytyçi, kanë qenë vetëm 17 këngëtarë në natën finale, kanë votuar, u kam dhënë unë nga 10 mundësi pikë për të votuar, asgjë sepse doja të imitoja Festivalin Europian, pastaj thashë jo. Në llogaritjet matematikore, sa më shumë mundësi dhe sa më shumë pikë që ti t’u japësh artistëve, aq më shumë ka shanse të dalin artistët e vërtetë të klasifikuar në këtë mënyrë,mund të lëvizin shumë pak, por më besoni për një gjë, ju mos u merrni me gjërat e vogla, merruni pak me gjënë e madhe. “Është i paracaktuar fituesi”. Si? “Po se flitet”. Mua vetë kam tre raste që kam dashur të tërhiqeshin nga festivali se “është i paracaktuar fituesi”. Kush?  Dhe vinin emrat. Po si, a do të votoni ju për njëri-tjetrin se ju jeni juria? Pra edhe njëherë nguleni në mendje këtë gjë.

Gjebrea adresoi edhe ankesat e dikurshme që duhej të merrte një juri, çka ndodhi në edicione të mëvonshme të festivalit. Më pas u kërkua vota e publikut që siç e pamë në “Kënga Magjike 2024”, u realizua. Producenti shtoi se vitin e ardhshëm ka konsideruar një juri të huaj ndonëse i pret edhe kritikat se duke qenë të tillë, nuk do të vlerësojnë si duhet. Por sërish, pesha kryesore mbetet te artistët.

Ardit Gjebrea: Jeni ju pesha e madhe! Jeni ju që duhet të ankoheni për njëri-tjetrin, pastaj juria. Ju jeni juria e madhe! Dhe si mund të përcaktohet se kush do ta fitojë këtë festival që më përpara kur ju vetë, secili nga ju do çmimin e parë dhe prandaj po bëni gjithë këtë debat këtu se secili nga ju e do çmimin e parë në këtë festival!

Më tej, Gjebrea vijon duke thënë se ka pasur edhe artistë, madje shumë të njohur por pa zbuluar emra, që i kanë thënë se në festival duhet kënduar me playback’. Ai e sheh ndryshe, si një mundësi  që artistët të këndojnë por thekson se gjithçka është për ta, edhe sistemi i votimit e ky i fundit është i pakorruptueshëm. Gjebrea nuk e lë me kaq por qëndron transparent deri në fund duke u lënë në dispozicion edhe verifikimin e votimit të publikut.

Ardit Gjebrea: “Kënga Magjike” është një mundësi. Shumë vetë më kanë thënë pse nuk e rikthen ‘playback’ në “Këngën Magjike?” Ka qenë një luftë imja me disa artistë të cilët mendojnë që muzika sot nuk është më muzika e të kënduarit ‘live’ dhe festivali i “Këngës Magjike” nuk duhet bërë live sepse këngët e vërteta janë ato që dëgjohen në Spotify, videoklipe etj. Në qoftë se ju e mendoni si disa të tjerë, edhe artistë me emër, ma thoni tani sepse ky festival qëkur ka lindur, ka lindur si një festival i juaji, jo  imi. Unë mundohem pafund, pafund që të bëj një gjë të mirë për ju dhe kam gjetur një sistem që të jetë i pakorruptueshëm. Votat e publikut, i keni numrat e telefonit aty, shkoni dhe shihini. Është shumë e rrallë që dikush t’i nxjerrë të gjithë numrat siç i nxjerr “Kënga Magjike”, është shumë e rrallë që dikush t’ju thotë merrini numrat e telefonit, shkoni dhe verifikojini. Çdo gjë që del është transparente

Mbi të gjitha, Gjebrea ka një ftesë për artistët, të shohin përtej pikëve. Së pari, “Kënga Magjike” është një platformë për këngët e tyre. Së dyti, në dispozicion të këngëtarëve vendosen profesionistët më të mirë të festivaleve. Së treti, është e pamundur që fituesi të paracaktohet.

Ardit Gjebrea: Ejani dhe shfrytëzojeni këtë festival për sa kohë që është sepse çfarë do mbetet nga unë, ky diskutim? Çfarë do mbetet nga festivali i “Këngës Magjike”, prezantimi im?  Çfarë do mbetet? Do mbetet kënga juaj. Juve ju vjen stafi i Sanremo-s, stafi i Festivalit Europian dhe këto janë investime, këto janë të trokitura nëpër dyer që t’ju krijohen kushte të jashtëzakonshme  që ju të keni mundësi të këndoni në një skenë  dhe e dini si më tha dikush, një nga italianët? “Ato nuk ishin këngë, ato ishin videoklipe dhe janë një dhuratë shumë e bukur për artistët”. Ky është mundi dhe puna jonë dhe në jetë të jetëve sa të ekzistojë “Kënga Magjike” me këtë sistem votimi, kurrë nuk do të ketë artistë të paracaktuar që ta fitojnë këtë festival, as edhe një herë sepse nuk i lejon sistemi i votimit.

Rozana Radi u jep fund aludimeve, sqaron raportin me Sany

Rozana Radi dhe Sany Dimitri triumfuan në garën e “Këngës Magjike” me “Akoma”. Në fjalën e saj në postfestival në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Rozana mori fjalën për të shprehur jo vetëm falenderimet, por edhe bindjen se këtë vit ia ka dalë të fitojë mes më të mirëve.

Rozana Radi: E para, i falenderoj të tgjithë pjesëmarrësit në “Këngën Magjike”, ata që na kanë votuar, ata që na kanë votuar më pak. Ky festival, unë kam marrë pjeesë në shumë festivale “Kënga Magjike”, njëherë kam qenë fituese, kam marrë pikë nga njerëz që edhe nuk kam komunikim me ta.  Ne kemi fituar këtë vit me më të mirët. Unë mendoj që ky festival ka pasur prurjet më të bukura të gjithë “Këngës Magjike” ndonjëherë.

Ajo nuk la mënjanë as një sqarim për lajmet e aludimet që kanë qarkulluar për shkak të performancës së saj me Sany se ka një raport personal mes tyre. Mes fituesve të “Këngës Magjike 2024” s’ka asgjë veç skenës e artit.

Rozana Radi: Do të doja të sqaroja një kleçkë të vogël: unë me Sany nuk jemi të dashur, nuk jemi burrë e grua, nuk jemi asgjë. Kemi ndarë vetëm skenën, asgjë tjetër, sa për sqarim për të gjithë.  Kjo mbaroi kjo gjëja këtu. Ju falenderoj të gjithëve për mundësinë që na dhatë të ndihemi në ‘backstage’ si artistë europianë. Faleminderit shumë!

(Mos)reagimi i Sany pas njoftimit të fitores, Rozana Radi: S’e kuptoi që fituam!

Në përfundim të post “Këngës Magjike” në programin “E  Diela Shqiptare” në Tv Klan, fituesi i çmimit të parë, Sany Dimitri që për shkak të gjuhës nuk u përfshi në diskutim, pati vetëm diçka për të thënë.

Sany Dimitri: Sapo kuptova që grekët dhe shqiptarët janë si dy shokë që jetojnë vetëm ca orë larg, thjesht flasin në një gjuhë tjetër. Ky është debati më i keq që kam marrë pjesë dhe jam shumë i lumtur që nuk do të zihem me njeri sot.

Në natën finale të “Këngës Magjike”, reagimi i Sany Dimitri në njoftimin e fitores pushtoi rrjetin. Këngëtari dukej tërësisht i qetë teksa Rozana Radi përqafoi Kamela Islamajn. Këngëtarja shpjegon se në fakt ai s’e kishte kuptuar aspak ç’po ndodhte.

Rozana Radi: Në momentin që u shpallëm fitues, Sany mendoi se fitoi Kamela se unë përqafova Kamelën dhe priste që të përqafonte Kamelën në atë moment.

Ardit Gjebrea: Po mirë gjuhën, por edhe numrat i kanë ndryshe?

Rozana Radi: Nuk e kishte mendjen se unë përqafova Kamelën, aty ishte Ronela, tha njëra nga këto  të dyja, u hutua komplet.

/tvklan.al