#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.
“New Artist” shkëlqen në “Këngën Magjike”, Eni Çobani e mrekulluar: Rini që na jep shpresë!
Tri netët e “Këngës Magjike” u finalizuan me garën e fundit të së shtunës ku artistët bënë kilometrat e tyre drejt çmimit të madh. Megjithatë, përtej kupave, secili ia ka arritur që të vendosë gurin e tij në muzikën shqiptare duke sjellë këngë që do t’i rezistojnë kohës, siç tashmë festivali e ka treguar në 24 edicione.
Eni Çobani, e cila ishte e pranishme në natën finale, në nisje të rubrikës “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, pati një urim për Gjebrean e të rinjtë. 8 dhjetori është Dita e Rinisë dhe festivali magjik dëshmoi sërish promovimin e talenteve dhe zërave të veçantë, yjet e të cilëve presin vetëm të ngjiten më lart.
Eni Çobani: Pas një nate të jashtëzakonshme, sikundër ishte ajo e mbrëmshmja, meriton të gjithë duartrokitjet, jo vetëm tonat por të gjithë shqiptarëve.
Ardit Gjebrea: Faleminderit! kë do të përshëndesim sot?
Eni Çobani: Sot, ditën e kemi të veçantë, është data 8 dhjetor, besoj që të gjithë shqiptarët e dinë, është në fakt një ditë feste sepse është Dita e Rinisë dhe ku ka më bukur që të kesh rini të përjetshme! Por më lejoni besoj në emër të publikut dhe të gjithë shqiptarëve që po na ndjekin, unë e kam këtë fat që e kam në krah Arditin dhe dua t’i them vetëm një kompliment të veçantë, jo veç për këngëtarët “Big” të cilët kanë karrierën e tyre dhe ne i njohim prej vitesh, por për kategorinë “New Artist”. Ishte vërtet një mrekulli prandaj rinia dhe ajo rini që shkëlqeu në këtë skenë na jep shpresën dhe motivimin që do të kemi këngëtarë të jashtëzakonshëm në të ardhmen. Bravo, bravo pikërisht për përkrahjen e këtij brezi të jashtëzakonshëm Ardit! Ishte kënaqësi e veçantë!
E pazakontë, babai me 8 fëmijë zgjedh dhëndrin si kujdestar
Llambi deklaron në insertin prezantues të rubrikës “Shihemi në Gjyq” se “nuk është kazan plehrash”. Ai ka kërkuar që në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, të përballet me bashkëshorten, Donikën.
Sipas asaj që shpjegon Llambi, vjehrri i tij, z. Kozma i cili nuk jeton më, i kishte lënë një prokurë kujdestarie për shëndetin dhe veprimet ligjore. Kjo tingëllon paksa e çuditshme sepse bashkë me Donikën, ai kishte lënë pas 8 fëmijë. Megjithatë, Donika ‘e uron’ burrin për prokurën, ndërsa konfirmohet se ajo ka kryer veprime të paligjshme me të.
Llambi: Unë e di që babai i saj kishte 8 fëmijë, 5 çupa, 3 djem por në fund të fundit, në hallet e problemet e tij kam qenë unë i pari që kam shërbyer, në spital, te shoku, te miku, në kemp dhe duke e parë që unë…
Donika: Po pastaj se i shërbeve, çfarë do të thotë kjo?
Llambi: Moj zonjë, më dëgjo deri në fund se pastaj do ta them unë dhe më ka zgjedhur kujdestar për shëndetin e tij.
Eni Çobani: Pse, ishte paqejf pra që ta dimë? Nuk jeton më apo jo?
Llambi: Nuk jeton më, më vjen keq. I kërkoj ndjesë që e kujtoj. Më ka zgjedhur kujdestar për shërbimin e shëndetit të tij, njëkohësisht edhe për të ndjekur çdo procedurë ligjore për atë. Por kjo zonja nuk do të dijë për këto se më zgjodhi ai, nuk e zgjodha unë atë.
Donika: Ishte zgjedhje e tij. Edhe mua më kishte vajzë, edhe atë tjetrin e kishte nip.
Llambi: Po pse nuk të zgjodhi ty, por më zgjodhi mua? Sepse i shërbeva dhe i shërbeja edhe atij, edhe mamasë tënde bashkë.
Donika: Shumë mirë që të zgjodhi ty!
Llambi: Si moj?
Donika: Shumë mirë bëri që të zgjodhi ty!
Llambi: Konflikti ka filluar sepse kjo zonja, pasi unë isha person që do të përgjigjesha si për shëndetin edhe për të tëra, mua më ka lënë edhe prokurë të posaçme dhe kjo zonja një ditë shkon në Vlorë dhe me atë bën një deklaratë noteriale në kundërshtim me ligjin dhe me dëshirën time se babai yt më zgjodhi me vullnet të lirë?
Donika: E çfarë do të thotë? Çfarë pune të prish ty?
Eni Çobani: Po si, bëre deklaratë mbi prokurën që ka vënë babai?
Llambi: Po, po!
“U rrahën për dashuri!” Përleshja e çuditshme e Shën Valentinit kulmon me shpifjen absurde
Llambi është shumë i prekur nga fakti që prokura e cila vjehrri i ndjerë i kishte dhënë duke e lënë si kujdestar të tij në vend të 8 fëmijëve, është përdorur në mënyra të ndryshme. Ai përballet në “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan me Donikën, gruan e tij që e ka përdorur prokurën për të lejuar nipin që të përdorte pronën.
Prej 20 vjetësh, ka një konflikt mes Llambit dhe familjes së Donikës që i ka bërë akuza të ndryshme duke e quajtur edhe vjedhës. Donika refuzon të pranojë gabimet e saj dhe thotë se gjithçka do të bëhet nga e para.
Një tjetër problem është rruga ku ndodhet prona pasi pak metra më tutje ndodhet edhe shtëpia e çiftit, por nipi ia ka bllokuar hyrjen. Donika i thotë se Llambit se ai nuk e ka zgjidhur këtë problem, kurse ky i fundit i kujton një episod paksa të çuditshëm.
Donika: Zonja Eni, unë kam punuar 38 vjet!
Eni Çobani: Po shumë mirë që ke punuar!
Donika: Kur kam vajtur te ky zotëri, e gjeta me një lopatë bishtgjatë dhe një palë opinga llastiku! Kam punuar 38 vjet!
Eni Çobani: Si, ky s’ka punuar fare?
Donika: Edhe ai ka punuar, edhe unë kam punuar!
Llambi: Moj lëre punën ti!
Donika: Ore zotëri, se të mora që nga “A”-ja dhe ke vajtur te “Zh”-ja. O znj. Eni, është bërë me dy shtëpi, me një shtëpi në Itali, me një shtëpi në Shqipëri dykatëshe, me dy makina, një në Itali, një në Shqipëri. Kur e gjeta unë, vetëm një lopatë kishte dhe një pelë me karro!
Llambi: Me pela ishin të gjithë, kush kishte pelë, ishte i pari në atë kohë po ulu atje! Në 2017-ën, për problemin e rrugës, na thirrën atje se pati një zënie… u rrahën në parcelë! Ai kishte dhënë tokën me qira, u rrahën me kunatin e kësaj, me vëllain e kësaj, 14 shkurt, ditën e Shën Valentinit! U rrahën për dashuri!
Donika: Shumë mirë u rrahën, në një ditë të shenjtë, ti ç’punë ke? Ç’punë të prish ty se u rrahën ata ditën e Shën Valentinit?
Llambi nuk e lë më kaq, por tregon se edhe është shpifur për të sikur ka qenë në burg. Kësaj Donika i përgjigjet në mënyrë absurde dhe thotë se “burgu për burrat është”, pavarësisht se i shoqi s’ka vuajtur ndonjë dënim.
Llambi: Në 19 korrik të 2017-ës, kishte motra e kësaj një dasmë. Nuk arrita të vija, kisha prerë edhe biletën e avionit bashkë me djalin, kjo sa kishte filluar punë, unë sa kisha filluar punë. Mirëpo, çfarë ndodhi? Unë për motivet e punës sime, atje kontrollohesha nga prokuroria, policia, gjykatat e të tëra për të mos pasur asnjë denoncim, asnjë shkelje.
Eni Çobani: Po, e çfarë ndodhi pastaj?
Llambi: Tani, shteti italian, unë plotësoj formularët e s’kisha asnjë lloj denoncmi ose prokurë në kundërshtim, u interesuan në komisariatin e policisë së zonës se mos kisha gjë në proces, ata morën vesh këtë dhe çfarë nxorën znj. Eni? Nxorën që Llambi ka rënë në burg prandaj nuk erdhi këtu!
Donika: Nuk është problem, burgu është për burrat! Do dilje prapë!
Eni Çobani: Po mirë, ka qenë në burg?
Donika: Jo, nuk ka qenë në burg!
Eni Çobani: Po mirë atëherë, pse duhet të shpifet që ka qenë në burg Llambi?
Donika: S’ka gjë!
Eni Çobani: Si s’ka gjë?
Donika: Burgu për burra është!
Gabimi i pakthyeshëm sjell fundin e 38 viteve martesë, Llambi largohet pa e kthyer kokën pas
Puntata e rubrikës “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan mbyllet me fundin e martesës 38-vjeçare të Llambit e Donikës. Deri në fund, Donika mbron familjarët duke mohuar e hedhur poshtë akuzat e Llambit se prokura që vjehrri i tij i ndjerë i kishte lënë, është keqpërdorur prej tyre.
Ai është i rënduar nga shpifjet dhe akuzat e shumta ndaj tij. Sërish Llambi numëron problematikat e tyre dhe i kërkon që ta zgjidhë problemin me nipin që ai t’i lirojë shtëpinë, të paguajë edhe shpenzimet ose mes tyre vjen fundi. Donika duket se zgjedh alternativën e dytë dhe i thotë “ik”. Llambi mbledh gjërat dhe bëhet gati për t’u larguar.
Llambi: Znj. Eni, e shikoj që kjo zonjë nuk ka as kthim, as të më vlerësojë punën time, por mbro kunatën tënde, mbaj nipin tënd se mua dhe fëmijët e mi, jam unë i zoti!
Donika: Te fëmijët e mi kam pjesë edhe unë, i kam rritur, i kam edukuar, i kam shkolluar!
Llambi: Unë nuk i mbaj dot më përsipër të gjitha shpifjet, të gjitha padrejtësitë sepse nëse unë do të vija në atë parcelë, të më dilte përpara ai nipi yt, ti e dije si do të përfundonte muhabeti! Dhe po që aq i zoti të më dalë se ka bërë edhe kërcënime! Të më vijë, e pres me kënaqësitë më vijë! Znj. Eni, të jap dorën, mirupafshim!
Moderatori i programit, Ardit Gjebrea e ndalon Llambin duke i bërë të ditur se publiku ka votuar. Ai pret të shohë vendimin, i cili është në favor të tij. Ai përmend edhe faktin që drejt tij ka një tjetër shpifje, sikur pusi që familjarët e Donikës kanë hapur, është tentativë e Llambit për të vrarë kunatën e saj. Donika nuk thotë asnjë fjalë, ndaj Llambi dorëzohet dhe braktis studion.
Llambi: Unë shoh se s’po mundem sot me këtë! Unë po bëj kohë që kjo thotë vetëm nipi i saj dhe kunata e saj kanë të drejtë. Unë po largohem!
Donika: Ke 38 vjet me mua! Sot do ta shkatërrosh familjen ti? Me 4 fëmijë, me 6 nipër e mbesa?
Llambi: Këtë e ke bërë ti që nga dita e parë e shkeljes së asaj kontratës dhe asaj prokure. Ti edhe sot po mbron ata! Nuk po më jep të drejtë! Ti nuk po më jep të drejtë! Të gjithë gabojnë, nuk ka njeri të mos gabojë, i pagabueshëm s’është asnjë në këtë botë, por ai që nuk kthen ai është më i gabuar akoma! Ika znj. Eni, ju falenderoj për mikpritjen! Z. Ardit, kënaqësi që u takuam!
Donika: Rrugë e mbarë të qoftë!
tvklan.al