#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

#enicobani #shiheminegjyq #tvklan #edielashqiptare #behije #zybejte #kredi #bashki #banke #shtepi #pervetesim

“Kjo fytyra këtu më mori kredinë!” Nis me tension seanca e ndërmjetësimit, kap motrën nga xhaketa

Episodi i parë i “Shihemi në Gjyq” për vitin 2025 nis me konfliktin e fortë të dy motrave, Behijes dhe Zybetes. Është Behija ajo që ka kërkuar përballjen e tyre në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan me pretendimin se Zybetja i ka marrë kredinë e butë që i ishte akorduar nga bashkia.

Zybetja e mohon këtë akuzë, ndërsa Behija është e bindur pasi specialistja i ka thënë “ta ka marrë motra”. Në gjaknxehtësi e sipër, Behija shkon afër së motrës dhe e tërheq nga xhaketa.

Behije: Jam në mes të katër rrugëve, po jetoj jashtë fare. Kisha një fëmijë, edhe ai fëmijë më braktisi se më tha “ku ke shtëpi ti moj mami, unë nuk rri me ty” dhe iku. Ai  ka të  drejtë, unë nuk ia prish jetën djalit. Ka ikur, më ka lënë vetëm, jam jashtë fare znj. Eni. Këtu kam thirrur motrën, këtë fytyrën këtu! Kjo më mori kredinë mua se ma dha bashkia dhe ti ma more mua! Ti se unë do të isha në shtëpi sot, nuk do të isha në rrugë në mes të gjarpërinjve!

Zybete: Çfarë të mora unë ty moj mashtruese?

Behije: Kujt i thua mashtruese?

Zybete: Ti moj! Çfarë të mora unë ty moj, çfarë të mora moj?

Behije: Mizerie dreqi!

Zybete: S’të kam marrë asgjë! Për çfarë më ke sjellë këtu?

Behije: Të kam sjellë se më more shtëpinë moj!

Eni Çobani: Është e vërtetë znj. Zybete, i ke marrë shtëpinë motrës? Se qenka edhe vetëm me një djalë, ju me kë banoni në shtëpi? Jeni vetëm?

Zybete: Unë kam bashkëjetuar, tani nuk bashkëjetoj, jam vetëm dhe tani unë jetoj në shtëpinë time,  pa pasur asnjë lloj borxhi, pa pasur asnjë lloj detyrimi karshi kësaj. Kjo tani ka marrë, nuk e di se ç’ka marrë, kredi…

Behije: Mua ma dha bashkia kredinë! Ma dha bashkia kredinë dhe do të marrësh kredinë 26 milionë me kredi të butë dhe të rrish me gjithë fëmijën te shtëpia atje. Shkoj te banka unë, banka thotë ta ka marrë motra!

Zybete: Po ti e besove bankën?

Behije: Unë e besova se ajo është specialiste!

Zybete: Po çfarë të tha, ta ka marrë motra, ta jep motra ë? Çfarë të të jap unë ty moj motër? Po s’të kam marrë gjë moj!

Familja e përzuri prej dashurisë së ndaluar, Behija: Solla në jetë djalin, kurse ai më la!

Gjatë konfliktit me motrën e saj, Zybeten për misterin e një kredie, Behija shprehet në “Shihemi në Gjyq” se familja nuk e ka përkrahur kurrë. Ajo shpjegon se shkak ka qenë një histori dashurie që nuk kanë qenë dakord. Fillimisht për këtë, ndërmjetësja e rubrikës të së “Dielës Shqiptare”  në Tv Klan, Eni Çobani, pyet Zybeten dhe ajo e rrëfen përmbledhtazi ndërsa Behija tregon hollësirat.

Zybete: Tani babai, si një prind patriarkal me ato traditat e veta, nuk donte, donte që të martohej. Faktikisht kjo lindi atë djalin edhe pse nga kjo e quante veten të ofenduar që vajza t’i lindte një djalë,  është i mrekullueshëm dhe kjo iku tani, iku atje, pa shtëpi, pa gjë.

Behije: Po, më nxorën nga shtëpia, dola jashtë fare unë. Ngaqë doja këtë djalin unë, që linda fëmijë, nuk më pranuan më në shtëpi dhe më mbajti puna, unë punoja në spital dhe më mbajti puna, më dha drejtori i spitalit  një dhomë të vogël aty. Aty u bë laborator, ndenja disa vite sa u rrit pak çuni dhe pastaj më nxorën jashtë, më kanë çuar te një kasolle, ajo është e gjitha e prishur.

Eni Çobani: Pse nuk e donin marrëdhënien tënde me këtë djalë?

Behije: Nuk e donin, ashtu ishte ai. Nuk dua që vajza ime të marrë burrë me dashuri se do ta fejoj unë e do ta martoj unë. Kjo ishte e gjitha. Ishte nga ato të Turqisë me një fjalë, ishte me mbeturina në kokë ai tha “s’kisha çfarë t’i bëja”.

Eni Çobani: Dhe ti nuk u martove asnjëherë?

Behije: S’u martova më unë, rrita çunin pastaj. E mbldha mendjen, do rris fëmijën thashë.

Ardit Gjebrea: Po ai që doje ku iku?

Behije: Më la ai.

Ardit Gjebrea: Të la ai?

Behije: Po.

Ardit Gjebrea: Si të la? S’të mori në shtëpi ai?

Behije: Nuk më mori në shtëpi, ai punonte në polici, unë punoja në distrofik në spital. Nuk më mori. E pushoi dega nga puna, e hoqën, e nxorën nga puna fare. Pse po më lë? S’kishte asnjë arsye pse të më linte.

Ardit Gjebrea: Ndoshta edhe babai s’paska pasur edhe shumë faj që nuk donte…

Behije: Nuk donte ashtu ai, donte që të ma gjente vetë burrin. Unë nuk doja ashtu, atje më pëlqeu mua. Ai më pëlqeu, atë mora,atë që më deshi zemra. Pse do të merrja atë që donte ai? Jo. Kur nuk ka kimi, s’kam unë… s’kisha dashuri për atë që më thoshte ai mua, nuk e doja unë.

Ardit Gjebrea: Ah, pse të gjeti babai një tjetër?

Behije: Gjente ai plot, i binte aty në shtëpi ai, por unë ia ktheja, ia refuzoja dhe si duket i erdhi inat atij, pse ta marrësh vetë tha. Pastaj ai qe kristian, tha “të më biesh ti kaurin në shtëpi”, unë s’e shikoja se ishte kaur apo mysliman, mua më pëlqeu, kishim kimi me njëri-tjetrin, duheshim, ishte shumë çun i mirë, ishte nga kalaja aty, u dashuruam, por nuk u martuam. Ai punonte në polici, unë në spital.

Ardit Gjebrea: Shumë i mirë, shumë i mirë, por të la.

Behije: Më la! E ka lënë Zoti atë. Do t’i marrë hak Zoti!

Kjo me gurë e unë me dërrasa!”/ Zybetja tregon si e qëlloi motra: Me çantë, bam në kokë!

Në fillim të seancës së ndërmjetësimit në “Shihemi në Gjyq”, Behija dhe Zybetja treguan se kishin pasur edhe përplasje fizike mes tyre për kredinë. Behija e ka akuzuar prej vitesh motrën se ajo i ka  marrë kredinë e butë, edhe pse kjo e fundit sqaron se ka përfituar një kredi konsumatore prej 11   milionë lekësh që e ka shlyer.

Behija thotë se punonjësja e bankës i ka thënë që e ka marrë Zybetja këtë kredi. Pas votimit të publikut të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan dhe një argumentimi nga Ardit Gjebrea se në këtë  histori ka diçka që nuk shkon dhe Zybetja nuk ka  gisht, Behija kujton përplasjen fizike mes tyre. Zybetja shton se ka qenë motra ajo që e ka sulmuar me çantë.

Behije: Komshiu te ai pallati që është kjo erdhi se ne po vriteshim, po rriheshim, sill kjo e sill unë! Kjo kap gurë, unë kap dërrasa, u dërrmuam!

Ardit Gjebrea: Po pra po, por si…

Eni Çobani: Si mundet në mes të qytetit të Elbasanit të bëhet një sjellje e tillë? Nuk ka një qytetar atje që të futet e të thotë çfarë problemi ka?

Zybete: Znj. Eni, po vritemi!

Eni Çobani: Znj. Zybete, si e lejon ti këtë histori?

Zybete: Ç’t’i bëja, ta vrisja? Vetëm vrasja ngeli! Sa më shikonte mua, “më more kredinë” tha! “Më more kredinë e butë! Më more shtëpinë”, tha! Çfarë të bëja? Duke ecur, kam dëshmitarë për këtë punë, e pashë që më kaloi, u shkëmbye, epo thashë do të ikë. Pas meje, siç e kishte çantën,  “bam” mu këtu! Qe çanta që s’pati gjëra të rënda se do të kisha rënë përmbys!

“Super prokuror!”/ “Shihemi në Gjyq” mbyllet me të qeshura, Gjebrea pajton motrat

Edhe pse në insertet e tyre në “Shihemi në Gjyq” deklaruan se kjo do të ishte hera e fundit që shiheshin e takoheshin, duket se fundi i rubrikës i gjen ndryshe Behijen dhe Zybeten. Përballja e tyre për kredinë që i ka konfliktuar prej kaq vitesh ishte e ashpër, por Eni Çobani tha se me ndihmën e bashkisë së Elbasanit do të sqarohet ku ka qëndruar problemi që Behija s’i tërhoqi dot asnjëherë paratë nga banka.

Me të dëgjuar këtë, ajo reagoi e lumtur duke uruar jo Çobanin, por drejtuesin e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrean. Ky i fundit nuk e humbi rastin për të bashkuar motrat në përqafimin e tij duke i çuar drejt pajtimit.

Behije: Rrofsh sa malet!

Ardit Gjebrea: Unë jo, jo s’kam lidhje!

Behije: Ardit, ju falenderoj juve për këtë yll kaq të bukur që keni që na zgjidh këto probleme!

Ardit Gjebrea: Nuk jam unë i ati!

Zybete: Për mua je një super prokuror! Je një super prokuror i drejtësisë!

Ardit Gjebrea: Hajde t’ju përqafoj njëherë të dyjave!

Zybete: Je një super prokuror se edhe prokuror të ishe, kaq mendim të kthjellët…

/tvklan.al