Ka ardhur reagimi i shumëpritur i aktores dhe deputetes së njohur, Adriana Matoshit pas operacionit në tru që iu nënshtrua pak ditë më parë.

Përmes një postimi në “Facebook”, Matoshi është shprehur se e ka mbajtur premtimin që dha para se të hynte në sallë që do të arrinte ta mposhte edhe njëherë këtë sëmundje.

“Premtimin që iua dhashë, e majta. UNË, U KTHEVA”, ka shkruar aktorja.

Ndër të tjera, ajo ka thënë se marshimi në sheshin e Prishtinës në mbështetje të saj ka qenë një surprizë dhe i ka dhënë forcë e kurajo në ditën që i është nënshtruar operacionit.

“Ecja/marshimi në sheshin e Prishtinës për mua ka qenë e papritur. Jo pse kam dyshuar në dashurinë e njerëzve të mi, por në temperatura aq të ulëta, i pashë të mbledhur shoqërinë, kolegë e qytetarë të cilët më dhanë forcën më të madhe ndërkohë që unë isha duke iu nënshtruar të gjitha analizave e kontrollave para operimit.

Marshimet e tilla duhet të organizohet për t’ju dedikuar të gjithë atyre fëmijëve, grave e burrave që luftojnë e ne nuk e dimë çfarë po kalojnë. Më besoni, nuk ju njihni as dhimbjen, as stresin e as ngarkesën e kostos që ka mjekimi për këto sëmundje kaq të rënda.

Mos prisni ditëlindje, Bajram, Vit të Ri, Krishtlindje e Pashkë që të duheni. Gëzojeni jetën edhe ditëve të përditshme. Gjejeni motivin e pozitivitetin çdo ditë që e gëzoni shëndetin”, shkruan mes të tjerash Matoshi. /tvklan.al