Trajneri i Hajduk Split, Gennaro Gattuso, i shtangu të gjithë në fundjavë, pasi përjashtoi nga ekipi i parë, një emër të njohur, si Ivan Perisic.
Sulmuesi u la jashtë për ndeshjen me Lokomotiva Zagreb, për shkaqe disiplinore, ndërsa vetë trajneri së fundmi ka zbuluar arsyen.
Gattuso deklaroi se Perisic ka kërkuar largimin nga Hajduk Split dhe për këtë arsye është lënë jashtë. Sipas tij, kur një lojtar kërkon largimin, mund të sjellë probleme në ekip.
“Para 20 ditësh, Perisic erdhi në zyrën time dhe më tha se donte të largohej nga klubi. Nëse dikush nuk dëshiron të qëndrojë, atëherë unë duhet ta respektoj atë. Kjo vlen për të dhe për pjesën tjetër të ekipit.
I dhashë një mundësi për të luajtur, 20 minuta, 35 minuta, 65 minuta, nëse një lojtar shpreh dëshirën për t’u larguar mund të çojë në mendime të gabuara dhe komplikime në dhomën e zhveshjes. Nuk është një histori e mbyllur me Perisic, ai është ende aty.”, deklaroi Gattuso.
35-vjeçari u bashkua me skuadrën kroate në janarin e këtij viti, por për shkak të një dëmtimi, nuk ishte në formën e tij më të mirë. Kur pritej që sulmuesi të shpërthente, ai zgjedh të largohet dhe gjatë kësaj të hëne, është lidhur me një kalim të mundshëm te Barcelona. /tvklan.al