Ditëlindja është një festë që përtej gëzimit, festëss, tortës, qirinjve e shampanjës mund të shoqërohet edhe me lot. Qofshin lot gëzimi, trishtimi apo një krizë ekzistenciale që shtohet një vit më tepër, e qara e ditëlindjes është një fenomen që u ndodh shumë njerëzve.
Edhe pse të qash për ditëlindje është shumë normale, ndjesia mund të mos jetë e tillë. Anna Harris, një këshilluese e shëndetit mendor thotë: “Shumë njerëz që qajnë për ditëlindje përfundojnë duke qarë më shumë sepse ndihen keq për ndjesitë e tyre”. Mund ta quani edhe efekti domino i lotëve të ditëlindjes.
Për të ditur më shumë rreth arsyeve pse na vjen për të qarë në ditëlindjen tonë, kemi hartuar një listë me shkaqet e mundshme.
1. Zhgënjimi. Ditëlindja është dita e veçantë e vitit që të kushtohet vetëm ty dhe shpesh mund të kesh pritshmëri të larta sesi ajo duhet të shkojë dhe sa vëmendje e dashuri do të marrësh. Kur këto pritshmëri nuk përmbushen, mund të ndiesh zhgënjim dhe rrjedhimisht, vjen e qara.
2. Ndjesia se të kanë harruar apo nuk ke rëndësi. Jo të gjithë kanë pranë persona që i bëjnë të ndihen tëveçantë në ditën e tyre. Zhgënjimi mund të burojë nga ndjesia se jeni ju personi që bëni më shumë për të tjerët sesa ata për ju.
3. Ankthi i rritjes. Ditëlindjet na kujtojnë se mosha dhe vitet që ikin janë të pashmangshme. Për shumë njerëz, është e frikshme që të mendojnë për të ardhmen dhe të panjohurat e saj.
4. Lumturia. Merrni kaq shumë dashuri në ditëlindjen tuaj sa emocionet bëhen të papërmbajtshme, sidomos kur reflektoni për gjërat e mira që ju rrethojnë.
Si t’i shmangim lotët e ditëlindjes?
Filloni me uljen e pritshmërive dhe përqendrohuni te gjërat që ndodhën sesa te ato që jo. Pasi kuptoni që dhuratat nuk janë pjesa më e rëndësishme e ditëlindjes, do ta keni më të lehtë të mos qani.
Nëse dhuratat janë shumë të rëndësishme për ju, sigurohuni që të afërmit tuaj ta dinë se çfarë prisni prej tyre. Komunikimi i drejtpërdrejtë është kyç në raste të tilla.
Planifikoni gjërat dhe mos i lini hapësirë zhgënjimit. Në vend që të prisni nga të tjerët, organizojeni ditën për veten tuaj, ndoshta një ditë në SPA apo duke bërë çfarë ju pëlqen më shumë, do të jetë dhurata më e bukur e ditëlindjes dhe ka shumë më pak gjasa që të qani.
Kriza ekzisenciale mund të tejkalohet duke u përqendruar te e tashmja, jo te mendimet për të shkuarën apo të ardhmen. Një mënyrë e mirë është duke menduar 5 gjëra që shihni, 4 që i ndieni fizikisht, 3 që i dëgjoni, 2 që i nuhasni dhe 1 që e shijoni. Ky ushtrim e ‘gozhdon’ mendjen te e tashmja.
Vendosni qëllime të reja për vitin që ju pret. Është një mënyrë e mirë për t’u fokusuar te e ardhmja dhe gjërat e bukura që ju presin.
Më e rëndësishmja, mos kini frikë të qani. Ndjenjat janë njerëzore. Lejojini vetes ta ndieni çlirimin shpirtëror. Pasi ta bëni këtë, hani tortën dhe harrojeni pse po qanit./tvklan.al