Ankthi, depresioni, mbyllja në vetvete janë disa nga problemet e forta të shëndetit mendor ku ndër grupet më të prekura janë të rinjtë. Dëgjojmë herë pas here histori shqetësuese, të frikshme e fatale që tregojnë se realiteti  pas buzëqeshjeve të tyre nuk është me kaq ngjyra.

E tillë është edhe historia që rrëfehet në rubrikën “Gjenerata Alfa” nga “E Diela Shqiptare”  në Tv Klan. Vajza ka preferuar të ruajë anonimatin, por tregon se dikur ishte një fëmijë energjik, me shumë dëshira e madje edhe pjesë e televizionit derisa ndaj saj nisi bullizmi që e çoi në ankth. Fillimisht ajo vendosej në shënjestrën e ngacmimeve të vogla që u përshkallëzuan me kohën.

Vajza: Ngacmime të vogla për gjëra të vogla që nga mënyra sesi dukesha në televizion, një ngatërresë e vogël që mund të bëja, ishte shumë ndryshe, varej nga koha, varej nga çfarë kisha bërë. Nisi me ngacmime të vogla, por u bë diçka shumë e madhe.

Ardit Gjebrea: A të penguan këto komente në daljet e tua televizive më pas?

Vajza: Po, shumë. Si fillim, nuk më ndikuan aq shumë të them të vërtetën sepse kam qenë një fëmijë me shumë konfidencë dhe e mbaja veten në një standard shumë të lartë, por me kohën, në momentin që ajo ndodhte përditë dhe unë isha thjesht një fëmijë, nuk ndodhte vetëm nga bashkëmoshatarët e mi por edhe më të rritur dhe ajo të ndikonte shumë dhe personalisht unë ndalova çdo gjë që bëja në lidhje me televizionin prej kësaj gjëje.

Ardit Gjebrea: Po çfarë të thonin bashkëmoshatarët e tu apo qoftë edhe më të rritur?

Vajza: Niste që nga gjërat më të vogla, për shembull çfarë fustani kishe veshur atë ditë, ajo ngjyra, mënyra sesi t’u duk lëkura në televizion, një gjë që mund të kishe thënë ta nxirrnin komplet jashtë kontekstit.

Ardit Gjebrea: Dhe çfarë të shkaktonte e gjithë kjo rrethanë?

Vajza: Shumë ankth, tmerrësisht shumë, veçanërisht në atë moshë. Paa një moment që u distancova nga bota, fillova të rrija vetëm më shumë. Ankthi, gjëja kryesore, kisha shumë problemi me të bërit shoqëri.

Ardit Gjebrea: U mbylle në vetvete?

Vajza: Po, isha e mbyllur. Nuk kisha më guxim të flisja edhe në orët e mësimit, lëre më pas nëpër televizione që nuk mora më pjesë.

Ardit Gjebrea: Po në shkollë fillore, si silleshin specifikisht shokët apo shoqet që të rrethonin?

Vajza: Fjalët ishin gjëja kryesore deri në një moshë më të vonë kur u bë fizike.

Ardit Gjebrea: Ç’do me thënë fizike?

Vajza: Fizike, dhunë fizike, me të rrahura, me ngacmime.

Ardit Gjebrea: Po pse?

Vajza: Është një arsye që unë në të vërtetë kurrë s’e kuptova, por kam pasur shpirtin që përherë i justifikoja duke thënë që thjesht po përpiqeshin t’i rrisnin vlerat vetes duke lënduar dikë tjetër ose po kalojnë diçka të vështirë në shtëpi.

Ardit Gjebrea: Dhe pastaj, si vijoi kjo histori?

Vajza: Rreth klasës së tretë kur filloi që dhuna të bëhej fizike, unë durova dhe dy vite të tëra deri në klasën e pestë kur ndodhën disa situata dhe unë po filloja ta tregoja më shumë që nuk isha mirë, kisha një problem por nuk doja që t’i stresoja prindërit pasi ata ishin në punë dhe nuk doja që të isha një shtesë tjetër e stresit të tyre.

Ardit Gjebrea: Nuk e kuptonin ata?

Vajza: Unë isha e vogël dhe nuk e dija a do e kuptonin a jo dhe kisha shumë frikë.

Ardit Gjebrea: Çfarë ndodhte me ty brenda teje? Çfarë efektesh të shkaktonte ankthi?

Vajza: Unë kisha shumë efekte në lidhje me panikun, isha në panik gjatë gjithë kohës, nuk gjeta një moment kur e kisha trurin e qetë, makthe të shpeshta. Më ndodhte diçka që unë e quaj atak paniku nga i cili nuk merrja dot frymë, dridhesha dhe kjo më ndodhte minimumi tri herë në javë. Isha në një gjendje psikologjike tmerrësisht të keqe./tvklan.al