“Situata më doli nga kontrolli dhe nuk doja ta vrisja djalin”, është shprehur 74-vjeçari Hekuran Gjoni në polici. Gjatë dëshmisë së tij para oficerëve të policisë gjyqësore, i moshuari ka treguar se bashkë me të birin dhe familjarë të tjerë po hanin darkë, ku nisi dhe debati mes tyre.
Sipas të moshuarit, konflikti nisi fillimisht fizikisht ndërsa më pas mori thikën dhe goditi të birin.
“Asimi më tallte prej shumë kohësh. Mbrëmë në darkë po hanim bukë në tavolinë. Ai filloi sërish të më tallte dhe u acarova, e iu ngrita dhe i gjuajtja me shpullë gjatë debatit. Më pas djali u ngrit edhe ai dhe më goditi, dhe unë u rrëzova pastaj. Më pas ndërhyri vajza ime ku i bërtiti Asimit pse e godite babin. Asimi më pas goditi dhe të motrën. Në këtë moment mu errësuan sytë dhe u ngrita, mora thikën dhe e godita djalin. Situata më doli jashtë kontrollit, nuk doja ta vrisja djalin”, shprehet Hekuran Gjoni.
Pas këtij episodi, familjarët njoftuan policinë, dhe ambulancën por 41-vjeçari humbi jetën në spital si pasojë e plagëve të marra.
Sipas policisë, debatet dyshohet se kanë qenë të mbartura, mes babait dhe djalit të tij. Sipas dëshmisë së familjarëve të dhënë në polici ata shpesh debatonin për shtëpinë në të cilën jetonin së bashku.
Në këtë objekt 3 katësh, në katin e parë jetonte Hekuran Gjoni me bashkëshorten dhe i biri Asimi me familjen e tij, ndërsa në dy katet e tjera jetojnë dy vëllezërit e tjerë të viktimës, apo dy djemtë e tjerë të autorit të vrasjes.
Klan News