74-vjeçari Hekuran Gjoni i arrestuar pasi vrau djalin e tij me thikë mbrëmjen e të shtunës është shprehur për policinë se nuk donte të kryente krimin, por situata i doli jashtë kontrollit. Në polici i moshuari ka treguar se bashkë me të birin dhe familjarë të tjerë po hanin darkë, kur nisi dhe debati mes tyre.

“Mbrëmë në darkë po hanim bukë në tavolinë. Ai filloi të më tallte dhe u acarova. U ngrita dhe i gjuajtja me shpullë gjatë debatit. Më pas djali u ngrit dhe më goditi gjithashtu, unë u rrëzova. Më pas ndërhyri vajza ime që i bërtiti Asimit pse e godite babin. Asimi më pas goditi dhe të motrën. Në këtë moment mu errësuan sytë dhe u ngrita, mora thikën dhe e godita djalin. Situata më doli jashtë kontrollit, nuk doja ta vrisja djalin”, dëshmoi i moshuari.

Pas këtij episodi, familjarët njoftuan policinë, dhe ambulancën por 41-vjeçari humbi jetën në spital si pasojë e plagëve të marra.

Sipas policisë, debatet dyshohet se kanë qenë të mbartura, mes babait dhe djalit të tij. Sipas dëshmisë së familjarëve ata shpesh debatonin për shtëpinë në të cilën jetonin së bashku.

Në këtë objekt 3-katësh, në katin e parë jetonte Hekuran Gjoni me bashkëshorten dhe i biri Asimi me familjen e tij, ndërsa në dy katet e tjera jetojnë dy vëllezërit e tjerë të viktimës.

Tv Klan