Një 74-vjeçare ekuadoriane u shpall nga autoritetet e vdekur për shkak të koronavirusit, por më vonë u zbulua se ajo ishte gjallë dhe ishte bërë një ngatërresë.
Familjarët e Alba Marurit u informuan për vdekjen e saj muajin e kaluar dhe i morën hirin. Por 74-vjeccarja u zgjua nga koma të enjten dhe kërkoi nga doktorët që të telefononte të motrën.
Familjarët e saj u gëzuan nga lajmi që morën, por mbetën të paqartë se hirin e kujt morën në shtëpi. Spitali kërkoi falje për ngatërresën.
Ngjarja ndodhi në Guayaquil, epiqendrën e koronavirusit në Ekuador, shtet i cili është goditur fuqishëm nga pandemia. Atje llogariten mbi 22 000 të infektuar dhe 600 viktima.
Sipas mediave lokale, Maruri shkoi në spital me temperaturë të lartë dhe vështirësi në frymëmarrje. Më 27 Mars, familjarëve të saj i thanë se kishte humbur jetën. Të afërmve iu ofrua për të parë një trup në morg, por duke mbajtur distancë për shkak të infektimeve. Ishte nipi i Maruri, Jaime Morla, ai që i tha zyrtarëve të spitalit se viktima ishte halla e tij.
“Kisha frikë të shikoja fytyrën e saj. Isha larg një metër e gjysmë. Kishte të njëjtët flokë, të njëjtën ngjyrë lëkure”, tha ai.
Por kur Maruri u zgjua të enjten, të gjithë u çuditën. Ajo mbante mend gjithçka dhe kërkoi të telefononte motrën. Familja e saj ka kërkuar që të kompensohet për ngatërresën./tvklan.al