Ish-Kryeministri Sali Berisha ka denoncuar se djalit të deputetit socialist Spartak Braho, i kanë bërë atentat poshtë pallatit të tij në Durrës. Sipas ish-Kryeministrit, ngjarja ka ndodhur më datë 18 Gusht.
Në denoncimin e “qytetarit dixhital”, Berisha thotë se tentativa e vrasjes dështoi.
Pas kësaj ngjarje, sipas denoncimit të ish-Kryeministrit, deputeti Braho dhe djali i tij kanë shkuar për t’u takuar me dy atentatorët, por mes tyre nisi konflikti fizik.
Denoncimi i ish-Kryeministrit Sali Berisha:
Atentat ndaj djalit të Spartak Brahos. Policia fsheh ngjarjen!Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital. sb
Përshëndetje zoti Berisha. Në darkën e datës 18 Gusht në Durrës ka dështuar tentativa për vrasjen e djalit të Spartak Brahos, Arbrit, dy persona me kallash që e prisnin tek hyrja e pallatit. Policia blindoi zonën por atentatorët u arratisën. Asnjë njoftim në lajme e as nga policia nuk u dha. Për më tepër, thuhet se Spartaku me të birin kanë shkuar dhe kanë takuar për sqarim apo pajtim prindërit e djemve dhe aty djali i Spartakut i ka qëlluar me broke uje. Pas kësaj gjithë këto ditë Arbër Brahon e shoqërojnë një grup policësh para dhe mbrapa kudo që shkon. Të lutem publikoje se policia i mban të fshehta të gjitha këto!
Tvklan.al ka mundur të zbulojë më shumë detaje rreth kësaj ngjarje. Rezulton se një 30-vjeçar kanosi me armë djalin e deputetit Spartak Braho, Kreshnik Brahon, pas një debati që pati me këtë të fundit.
Mësohet zyrtarisht se ishte Lytjano Kadilli, banues në lagjen Nr.2 në Durrës, që kërcënoi me armë 35-vjeçarin Kreshnik Braho dhe i theu xhamat e dy makinave në pronësi të tij.
“Durrës/ Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës kanë shpallur në kërkim dhe po punojnë për kapjen e shtetasit L.K., 26 vjeç, banues në Durrës pasi për motive të dobëta dyshohet se ka kanosur me armë zjarri dhe i ka thyer xhamat e 2 mjeteve shtetasit K.B., 35 vjeç, banues në Durrës”, thuhet në komunikatën e policisë së datës 19 Gusht.
Sipas informacioneve që disponon tvklan.al, konflikti mes tyre pretendohet të ketë nisur për një vend parkimi dhe bllokim rruge. Fillimisht të dy debatuan verbalisht. Por, më pas Kadilli u largua dhe u rikthye i armatosur. Ai nuk qëlloi me armë, por kërcënoi Kreshnik Braho dhe i dëmtoi automjetet. Pas kësaj ngjarje, 30-vjeçari Kadilli u shpall në kërkim nga autoritetet.
Megjithatë, historia nuk mbaron me kaq. Edhe pse Lytjano Kadilli ishte shpallur në kërkim nga policia për kanosjen me armë, ka qenë djali tjetër i deputetit Braho, Arbër Braho 38 vjeç, i cili ka mundur ta gjejë 30-vjeçarin përpara uniformave blu.
Më 18 Gusht, 58-vjeçari Arian Kadilli ka kallëzuar në polici se së bashku me djalin e tij Lytjano Kadilli është sulmuar nga Arbër Braho. Nga goditjet me sende të forta, at e bir pësuan dëmtime në trup. Për këtë ngjarje, Arbër Braho është proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprën penale të plagosjes së lehtë me dashje, thotë policia.
“Durrës/Më datë 19.08.2019 filloi procedimi penal për shtetasin A.B., 38 vjeç, banues në Durrës, sepse më datë 18.08.2019, në lagjen Nr. 4 Durrës, pas një konflikti për motive të dobëta ka goditur me sende të forta shtetasit A. K., 58 vjeç, dhe L.K., 30 vjeç duke i shkaktuar dëmtime trupore. Neni 89 i K.P”, thuhet në komunikatën e Policisë së Shtetit.
Kurse, Lytjano Kadilli vijon të jetë person në kërkim, thonë burimet policore. 30-vjeçari është person me precedent të mëparshëm penal dhe i dënuar disa herë për armëmbajtje pa leje, kanosje, shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe kundërshtim të punonjësit të policisë. /tvklan.al