Nis këtë të diel, edicioni i 86-të i kampionatit shqiptar, Kategoria Superiore.  Sezoni 2024-2025, nis menjëherë me dy sfida interesante.

Në orën 20:00, në fushë do të zbresin katër skuadra. Egnatia, kampione në fuqi, pret në stadiumin “Elbasan Arena” skuadrën e Dinamo City. Të dyja ekipet e nisin kampionatin me synime madhore dhe do të kërkojnë fitoren në start.

Paralelisht, në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, do të luhet sfida mes Teutës dhe Bylisit. Durrsakët vijnë disi më të avantazhuar, por nuk përjashtohet ndonjë surprizë nga ballshiotët e trajnerit Egbo.

Tre sfidat e tjera të javës së parë, janë planifikuar të luhen ditën e hënë. Në orën 17:00, Laçi pret në shtëpi Tiranën, ndërsa dy ndeshjet e tjera do të luhen në orën 20:00.

Në kryeqytet, Partizani përballet me Vllazninë në stadiumin “Arena e Demave”, ndërsa në të njëjtin orar, në Korçë do të luhet sfida mes Skënderbeut dhe Elbasanit. /tvklan.al