Pas qytetit të Lasgushit rrugëtimi veror i maratonës së katërt të këngës popullore u ndal në natën e nëntë në qytetin e Korçës, aty ku lindën serenatat.
Ky është viti i dytë që maratona zbret në Korçë për t’u dhuruar qytetarëve korçarë një atmosferë ndryshe nga netët e tjera dhe është pikërisht sheshi kryesor i qytetit përpara katedrales ortodokse vendi i koncertit të maratonës.
Aty janë instaluar kamerat e TV Klan, tërë stafi i tij dhe promotorë për të përcjellë nga aty emocionet e një maratone të vërtet të këngës popullore të përpunuar.
Anjeza Maja: “Mirëmbrëma Korça!”
Drini Zeqo: “Mirëmbrëma, mirëmbrëma, një duartrokitje e fortë. Faleminderit! Sa shumë jeni sonte këtu! T’ju dëgjojmë të gjithëve!”
Këngëtarët e maratonës, të rinj e të njohur i kënduan një publiku të tërë që kish mbushur si rrallë herë sheshin kryesor të qytetit, këngët e traditës tashmë të kthyera në hite, përpunime të reja muzikore që sjellin një ngjyrë të re në folkun shqiptar.
Julian Mustafa: “Është një eveniment shumë i këndshëm, shumë i mirë, i cili nxjerr në pah traditën, nxjerr në pah folkun e muzikës popullore dhe asaj qytetare”.
Mimoza Paraveli: “Publiku korçar është i mrekullueshëm, të fal emocione. Kudo që këndoj nuk mund të harroj Korçën time.”
Kita Çaraoshi: “Është hera e parë që marr pjesë në maratonë. Jam shumë shumë i lumtur. Unë kam 17 vjet që ndodhem ne Greqi edhe më jepet rasti që edhe publiku të më njohë, edhe të më dëgjojë, edhe të më pëlqejë gjithashtu.”
U ngjitën në skenë edhe këngë të njohura të kthyera në himn për vetë korçarët, por edhe shqiptarët anë e kënd vendit si “Qeraxhiu i Grebenjes” kënduar nga simboli i këngës korçare, Eli Fara.
Eli Fara: “Emocioni ishte ndryshe sepse unë vendosa të këndoja “Qeraxhiun e Grebenjes” mbas 20 vjetësh, kënga e cila më ka bërë të famshme në një farë mënyre dhe për mua mbetet shumë e veçantë dhe e dashur”.
Për gati tri orë koncert u ngjitën në skenën e Korçës mëse 30 këngëtarë që interpretuan në stilin e tyre këngët e zgjedhura për maratonën e katërt duke ndezur kështu edhe publikun e Korçës.
“Ky koncert më duket mjaft i bukur”.
“Më pëlqen shumë, shumë bukur”.
“Shumë e bukur, shumë e kënaqshme. Na kanë kënaqur aq sa s’ka ku të shkojë më”.
“Nga të tërë rrethet po këndojnë. Jemi shumë të kënaqur”.
“Të gjithë këngët na pëlqyen shumë”.
Nata korçare me të veçantat e saj përcolli edhe një herë suksesin e këtij spektakli të muzikës popullore, atë çka qytetarët e qyteteve të tjerë kanë përqafuar kudo ku ka shkelur maratona deri më tani për t’i lënë më tej udhën e natës së dhjetë të maratonës në Strugë./tvklan.al