Shtetet e Bashkuara po punojnë për të “shënuar përparim” për arritjen e një armëpushimi në Gazë. Kjo pasi Hamasi iu përgjigj një propozimi që parashikon disa faza, duke kërkuar ndryshime.
Jake Sullivan, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë u tha gazetarëve të enjten se disa ndryshime që ka kërkuar Hamasi janë “të thjeshta dhe të vogla” dhe se mbi to mund të punohet, ndërsa disa të tjera nuk janë “në përputhje” me parashikimet për të cilat dha hollësi Presidenti Joe Biden apo ato që janë të miratuara nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara,
Zoti Sullivan tregoi kujdes të theksonte se për shkak të natyrës së negociatave, të cilat përfshijnë bisedime jo të drejtpërdrejta me zyrtarë nga Egjipti dhe Katari, kërkohet kohë për të shënuar përparim.
“Ne do të punojmë me Katarin dhe Egjiptin, Katari dhe Egjipti do të punojnë me Hamasin. Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara do të punojnë me Izraelin. Synimi është të përpiqemi të arrijmë një përfundim sa më shpejt të jetë e mundur,” u tha ai gazetarëve.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se propozimi i armëpushimit është një propozim izraelit dhe zoti Sullivan tha të enjten se “pas planit” qëndrojnë izraelitët.
Ai hodhi poshtë zërat se Izraeli nuk është i angazhuar plotësisht ndaj propozimit për armëpushim. Presidenti Joe Biden e bëri publik planin në fund të majit në Shtëpinë e Bardhë.
“Izraeli vetë e ka paraqitur këtë propozim. Ai ka kohë që është mbi tryezë. Izraeli as nuk e ka kundërshtuar dhe as nuk është tërhequr prej tij”, tha zoti Sullivan në Itali, ku Presidenti Biden po merr pjesë në takimin vjetor të udhëheqësve të Grupit të Shtatëshes.
“Deri më sot ata qëndrojnë pas propozimit. Nuk mendoj se qëndrimi izraelit është kontradiktor,” shtoi zoti Sullivan.
Të mërkurën, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se negociatorët po përpiqen të arrijnë marrëveshjen për armëpushim dhe për lirimin e pengjeve në Gaza.
Hamasi ka kërkuar disa ndryshime në propozimin e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, disa prej të cilave zoti Blinken tha se mund të merreshin në konsideratë, por shtoi se disa të tjera ishin të parealizueshme. Hamasi thotë se “ndryshimet” e tij synojnë garantimin e një armëpushimi të përhershëm dhe tërheqje të plotë të trupave izraelite nga Gaza.
Propozimi për armëpushim i parashikon këto objektiva, por Hamasi ka shprehur dyshimin se Izraeli mund të mos t’i zbatojë ato.
Ushtria izraelite tha të enjten se kreu sulme ajrore kundër 45 objektivave në të gjithë Gazën.
Izraeli njoftoi gjithashtu operacione tokësore dhe sulme ajrore në Rafah, në jug të Gazës si dhe operacione në Gazën qëndrore.
Lufta që Izraeli filloi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 37,100 vetëve, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e cila nuk bën dallim mes luftëtarëve dhe civilëve në shifrat e të vrarëve.
Palestinezët po përballen me uri të përhapur, pasi lufta ka ndërprerë në masë të madhe furnizimin me ushqime. Hamasi vrau rreth 1200 vetë kryesisht civilë në sulmin ndaj Izraelit dhe mori peng rreth 250 të tjerë./VOA