Rusia duket se po e orienton ekonominë drejt luftës, ashtu siç planifikon edhe Bashkimi Europian teksa po shtohet frika e një përballjeje me NATO-n në Ukrainë. Këtë sipas analistëve e tregon emërimi në krye të Ministrisë së Mbrojtjes të një prej ekonomistëve më ekselentë që ka Rusia, Andrei Belusovin.
65-vjeçari, i cili 4 vitet e fundit ka mbajtur postin e zv/kryeministrit, shquhet se në karrierën e tij ka drejtuar Institutin e Parashikimeve Ekonomike në Akademinë e Shkencave. Emërimi i tij është pjesë e një vale qarkullimesh në kabinetin qeveritar, pasi Vladimir Putin bëri betimin për herë të 5-të si president, javën e kaluar.
Kremlini i komentoi lëvizjet në ministrinë e mbrojtjes si rifreskim vizioni. Serhei Shoigun, një prej njerëzve më të besuar dhe figurën kyçe për luftën 2-vjeçare në Ukrainë, Putin e emëroi në pozitën e sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Disa analistë rusë thonë se kjo lëvizje tregon se lufta në Ukrainë nuk po ecën sipas planeve të Putinit.
Pakënaqësitë me Shoigun çuan në rebelimin e grupit famëkeq Vagner, që qershorin e kaluar u tërhoq pas negociatave nga marshimi drejt Moskës për të rrëzuar ministrin e Mbrojtjes Shoigu, të cilin e akuzonin se i kishte lënë pa furnizime me armë në fushëbetejën e Ukrainës.
Lëvizjet vijnë teksa ushtria ruse ka zgjeruar frontin në lindor në Ukrainë me Harkivin, duke dalë përtej planit fillestar për aneksimin e 4 rajoneve në Lindje të Ukrainës.
Tv Klan