Lufta në Gaza vijon të marrë jetë njerëzish pasi ofensiva e Izraelit ndaj Hamasit nuk ndalet pavarësisht presionit të ndërkombëtarëve. Ndërkohë, në vazhdë të kësaj ofensive një raportues special i OKB-së ka akuzuar Izraelin se ka shënjestruar sistemin ushqimor të Gazës si pjesë e një “fushate më të gjerë të urisë”, raporton Sky News.

Kujtojmë se agjencitë e ndihmës kanë paralajmëruar për rrezikun e urisë në Gaza për muaj të tërë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë tha në fillim të kësaj jave se fëmijët në veri po vdisnin nga uria.

“Izraeli jo vetëm që mohon dhe kufizon fluksin e ndihmave humanitare në Gaza, por Izraeli po shkatërron sistemin ushqimor në Gaza,” tha Michael Fakhri, raportuesi special i OKB-së për të drejtën e ushqimit, në një fjalim në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Në fjalën e tij ai ka shtuar se Izraeli ka ngritur një fushatë urie kundër popullit palestinez në Gaza.

Ndërkohë nga ana tjetër Izraeli mohon se ka kufizuar ndihmën në enklavë dhe thotë se ofensiva e tij ushtarake ka për qëllim shkatërrimin e Hamasit.

Pothuajse pesë muaj luftime e kanë lënë në gërmadha Gazën dhe kanë krijuar një katastrofë humanitare, teksa banorët e enklavës, po përballen me mungesë të theksuar të furnizimeve ushqimore. Grupet e ndihmës kanë thënë se është bërë pothuajse e pamundur dërgimi i furnizimeve në pjesën më të madhe të Gazës për shkak të vështirësive në koordinimin me ushtrinë izraelite.

/tvklan.al