Ligjvënësi Eliot L. Engel, i bëri thirrje departamentit amerikan të shtetit që ta shndërrojë drejtësinë për viktimat e luftës së Kosovës, në element qendror të angazhimit dypalësh të Shteteve të Bashkuara me Serbinë.

Në një letër dërguar sekretarit të shtetit, Mike Pompeo, ligjvënësi Engel thekson se anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian, nuk duhet të ecë përpara derisa kriminelët serbë të luftës nuk mbahen përgjegjës.

“Mijëra civilë janë vrarë, dhjetëra mijëra janë përdhunuar dhe qindra mijëra janë dëbuar me forcë nga trupat serbe. Megjithëse faktet janë gjerësisht të ditura, pothuajse askush nuk është vënë para drejtësisë në Serbi për këto krime të luftës, ndonëse, në shumë raste, dëshmitë flasin se urdhrat janë dhënë drejtpërdrejt nga kreu shtetëror. Kjo është thellësisht shqetësuese” shkroi ligjvënësi Engel.

Në letrën dërguar sekretarit Pompeo, ai vlerëson vendimin e 18 dhjetorit me të cilin administrata i ka ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ish gjeneralit të policisë serbe, Goran Radosavleviç, i njohur si Guri, për shkak të përfshirjes së tij në vrasjen e tre shqiptaro amerikanëve në vitin 1999.

Radosavleviç, shkruan në letër zoti Engel, “ishte për një kohë të gjatë i dyshuari kryesor për vrasjen e tre shtetasve amerikanë, vëllezërve Bytyçi dhe krime të tjera të luftës. Ky vendim i rëndësishëm që u mor gati 20 vjet pas përfundimit të luftës, është një pikë kthese për fushatën e familjes Bytyçi për drejtësi dhe një hap i parë shpresëdhënës për t’u siguruar se Serbia mbahet përgjegjëse për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë konfliktit”.

Duke theksuar se vëllezërit Bytyçi u vranë brutalisht në vitin 1999 derisa po shoqëronin një familje të komunitetit rom nga Kosova për në Serbi, ligjvënësi Engel shkruan se “mjerisht vrasja e tyre nuk ishte lemeria e vetme e regjimit të (Slobodan) Millosheviçit kundër qytetarëve të Kosovës. Mijëra civilë janë vrarë, dhjetëra mijëra janë përdhunuar dhe qindra mijëra janë dëbuar me forcë nga trupat serbe. Megjithëse faktet janë gjerësisht të ditura, pothuajse askush nuk është vënë para drejtësisë në Serbi për këto krime të luftës, ndonëse, në shumë raste, dëshmitë flasin se urdhrat janë dhënë drejtpërdrejt nga kreu shtetëror. Kjo është thellësisht shqetësuese” shkroi ligjvënësi Engel.

Në letër ai i referohet edhe raportit të Fondit për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd, të publikuar në muajin mars të vitit 2017 me titull “Fshehja e dëshmive të krimeve gjatë luftës në Kosovë – operacioni i fshehjes së trupave”.

Në dokument thuhet se prej vitit 2001, në varrezat masive në Serbi, janë gjetur trupat e 941 shqiptarëve, shumica civilë, që janë vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Nga ta “744 trupa të shqiptarëve të Kosovës janë gjetur në Batajnicë, në periferi të Beogradit, së paku 61 në Petrovo Selo, dhe 84 në Liqenin e Peruçacit. Së paku 52 trupa janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë”, thuhet në dokument.

Sipas fondit, zyrtarët më të lartë të qeverisë dhe ushtrisë jugosllave kanë qenë të përfshirë në fshehjen e krimeve të kryera ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës.

“Dëshmitë flasin se vendimi për fshehjen e provave të krimeve të kryera është marrë më së voni në mars të vitit 1999 , dhe në fshehjen e trupave kanë marrë pjesë pjesëtarët e departamentit për siguri publike, të sigurimit shtetëror të ministrisë së Brendshme dhe ushtria jugosllave nëpërmjet reparteve për ‘pastrimin e terrenit’. Përveç tyre në largimin e trupave kanë marrë pjesë edhe civilë e punonjës të ndërmarrjeve publike, makineritë e të cilëve janë përdorur gjatë operacioneve”.

Ligjvënësi Engel shkruan se raporti i Fondit, mbase prekë vetëm sipërfaqen e asaj që duhet hetuar ndërsa i bën thirrje sekretarit Pompeo që të ndërmarrë disa hapa gjatë vitit 2019:”

“Pikësëpari, çështjet e pas konfliktit duhet të jenë pjesë qendrore e dialogut tonë më Beogradin. Ndonëse Serbia është përballur me Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Luftë në Ish Jugosllavi për veprimet e saj në Bosnjë, nuk ka pasur një gjykatë paralele për konfliktin në Kosovë. Serbia është vend i rëndësishëm në Ballkanin Perëndimorë dhe duhet të behët pjesë e Evropës. Por, druajmë se Serbia nuk do të realizojë këtë qëllim nëse nuk pranon përgjegjësinë për krimet e luftës”.

Së dyti, shkruan ligjvënësi Engel, “kërkojmë që të punoni me aleatët evropianë për këtë çështje si pjesë e procesit të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian. Serbia nuk duhet të përparojë në procesin e anëtarësimit në BE derisa kriminelët serbë të luftës janë të lirë. Për të lënë prapa historinë e tmerrshme të luftës në Kosovë, viktimat e krimeve serbe duhet të shohin drejtësinë. Dështimi për ta bërë këtë lë të hapur derën për më shumë konflikte e mosmarrëveshje në rajon”.

Së fundi, shkruan në letër “ndërsa Serbia përballet me pak ose aspak rreziqe ligjore për krimet e luftës në Kosovë, është ngritur një ‘Gjykatë e Posaçme’ për të ndjekur penalisht pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët mund të kenë bërë veprime të paligjshme. Ne besojmë që secili që në Kosovë ka kryer krime lufte, duhet të mbahet përgjegjës, por e ndjejmë se duhet t’u përmbahemi dy fakteve thelbësore: shërbimet ushtarake, policore dhe të zbulimit të drejtuara nga Millosheviçi, kanë kryer shumicën e krimeve gjatë luftës në Kosovë.

Dhe statuti mbi të cilin është krijuar gjykata, me të drejtë nuk e përcakton se vetëm shqiptarët etnik ose pjesëtarët e UÇK-së mund të ndiqen. Përkundrazi, ligji është i paanshëm në pikëpamje etnike. Së këndejmi, nëse kjo gjykatë akuzon vetëm shqiptarët, do të shihet si një gjykatë etnike që do të njollos seriozisht drejtësinë e saj në çdo veprim të ardhshëm. Ne do të vëzhgojmë nga afër punën e Gjykatës së Posaçme për të parë se ai shmang me kujdes shënjestërimin etnik në ndjekjen penale të saj”, shkruan në letrën e zotit Engel./

VOA