Policët italianë dhe punonjës socialë të Medihospes, organi drejtues i qendrave italiane në Shqipëri për riatdhesimin e emigrantëve, do të lënë Shëngjinin e Gjadrin brenda kësaj jave.

Lajmi bëhet i ditur nga mediat italiane, të cilat shkruajnë se javën e kaluar pati një reduktim të ndjeshëm të policëve italianë. Vetem një kontingjent i vogël prej 7 personash mbetet tashmë në krye të administrimit dhe trajnimit të nevojshëm të stafit shqiptar në pritje.

Megjithatë, Ministria e Brendshme e shtetit fqinj garanton se dy qendrat do të mbeten nën vëzhgim, edhe pse numri i agjentëve të dërguar në Gjadër dhe Shëngjin është reduktuar ndjeshëm.

Vendimi i autoriteteve italiane vjen pas bllokimit të njëpasnjëshëm të Gjykatës së Romës për mbajtjen e emigrantëve në qendrën e Gjadrit. Vendimi më i fundit ishte ai i Tetorit që detyroi kthimin në Itali të 12 emigrantëve.

Verdikti i Gjykatës së Romës kundër zbatimit të marrëveshjes së arritur mes Shqipërisë dhe Italisë është ankimuar nga Qeveria Meloni në Gjykatën e Kasacionit dhe me 4 Dhjetor pritet vendimi.

Ndërkohë që Italia është edhe në pritje të vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, pas ankimit të bërë nga gjykatat italiane kundër dekretit Meloni për përcaktimin e vendeve të sigurta për emigrantët.

Tv Klan