Vendimi i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për pezullimin e programit të refugjatëve për tre muaj, nuk është pritur mirë nga shtetasit afganë të vendosur në Shëngjin. Ata kërkojnë që Amerika t’u vijë në ndihmë, pasi sipas tyre, e ardhmja për ta është në rrezik nga talebanët.

“Vendimi i Trump nuk më duket i drejtë. Njerëzit tanë e kanë ndihmuar ushtrinë amerikane në Afganistan, e duam që të gjithë njerëzit tanë që kanë ngelur në Afganistan të mos lihen në harresë, pasi jeta e tyre është e rrezikuar. Ata kërkojnë ndihmë për të ikur nga Afganistani sepse po përballen me sulme të vazhdueshme nga talebanët dhe jetojnë në një situatë tejet të rrezikshme. Ata që kanë ndihmuar ushtrinë amerikane po vriten nga talebanët. Nëse nuk na ndihmon Amerika, do të jetë fundi i jetës sonë pasi ne nuk mund të shkojmë në Afganistan. Talebanët e dinë kush e ka ndihmuar ushtrinë amerikane dhe jemi të rrezikuar”, tha një refugjat afgan.

Dekreti i Trump ishte ndër të parët të nënshkruar pas rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë. Ky dekret i presidentit amerikan pezullon vajtjen në Amerikë të shtetasve afganë të cilët janë strehuar në vendet e tjera, përfshirë dhe ata që ndodhen në Shqipëri.   

Klan News