Elbasani është duke festuar Ditën e Verës, festën pagane të shqiptarëve. Atmosfera ndjehet kudo në kryeqendrën e këtyre festimeve.

Gjithçka është gati për ditën e 14 Marsit, ku edhe festimet kulmojnë, ndërkohë që qyteti ka hapur dyert dhe pret miq e mysafirë nga mbarë trojet shqiptare dhe nga e gjithë bota.

Qendra e qyteti, bulevardi kryesor, muret e kalasë janë veshur me dekor të veçantë, me ngjyra pranverore dhe me urime të sinqerta për një verë të paqtë e të begatë.

Aktivitetet kanë nisur ditë më parë. Dhe ndryshe nga vitet e tjera, ato do të vazhdojnë edhe pas 14 Marsit.

Mes aktiviteteve spikasin trashëgimia në duart e vogla, panairi i zejeve dhe kulinarisë, ansamblet artistike, sofra elbasanase, teatrot, koncerti gala i mbrëmjes në pritje të 14 Marsit me pjesëmarrjen e artistëve më në zë të muzikës së lehtë dhe popullore.

Festimet do të vijojnë me koncerte festive, panairi zejeve, panairi i ballokumeve, ëmbëlsirës tradicionale të kësaj feste, karnavalet, ekspozita etj.

Gjatë 14 Marsit është bërë traditë të vijnë edhe autoritetet më të larta në vend. Është njoftuar për pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, kryetarit të opozitës Sali Berisha, por edhe komisionerja për Zgjerimin Marta Kos etj.

Qindra qytetarë ndoqën gjatë mbrëmjes koncertin e madh festiv i cili krijoi një atmosferë mjaft të gëzuar në qytet.

Dita e Verës është festë pagane. Është festë që i bashkon njerëzit pa dallime fetare, etnie, është festë e natyrës dhe begatisë.

Klan News