Nëna e gazetarit amerikan Austin Tice, i rrëmbyer në Siri në vitin 2012, është kthyer në këtë vend për kërkimin e djalit të saj. Vizita e Debra Tice erdhi pas rënies së regjimit të Bashar al-Assad.
Djali i saj, një gazetar i pavarur që tani është 43 vjeç, u kap teksa udhëtonte nëpër periferinë e Damaskut i cili mbulonte luftën civile siriane.
Ajo shpreson që administrata e re në SHBA dhe Siri do ta ndihmojë për të gjetur djalin e saj të zhdukur.
“Kam shpresë të madhe që administrata Trump do të angazhohet për të sjellë Austin në shtëpi. Mezi pres të punoj me ekipin e tij të ri, duke përfshirë Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Mike Waltz dhe të dërguarin special Adam Boehler”, tha nëna e gazetarit Debra Tice.
Tice ka kritikuar administratën e Presidentit amerikan në largim, Joe Biden, duke thënë se ata nuk negociuan mjaftueshëm për lirimin e djalit të saj, edhe në muajt e fundit.
Zyrtarët amerikanë kanë shprehur shqetësimin se Austin Tice mund të jetë vrarë në sulmet e fundit ajrore izraelite ose mund të ketë humbur jetën në burgjet e Damaskut. Autoritetet siriane nuk konfirmuan kurrë që Austin Tice ishte në burg.
New York Times raportoi fillimisht se ai ishte arratisur, por që atëherë çdo gjë ka mbetur mister.
Rebelët hapën burgjet e Sirisë, duke liruar mijëra njerëz dhe duke u dhënë ekspertëve akses në dokumente që mund të hedhin dritë mbi atë që ndodhi me Tice dhe njerëz të tjerë të zhdukur.
Klan News