Partia në pushtet “Ëndrra Gjeorgjiane” e Gjeorgjisë korri fitore historike duke marrë më shumë se 54% të votave në zgjedhjet parlamentare me më shumë se 99% të zonave të numëruara.
Sipas rezultateve, “Ëndrra Gjeorgjiane” do të ketë 89 ulëse në Parlamentin prej 150 vendesh. Ky numër është i mjaftueshëm që partia të formojë qeverinë, por nuk është i mjaftueshëm që të ketë shumicë absolute në mënyrë që të bëjë ndryshime kushtetuese.
Rezultati është një goditje për gjeorgjianët properëndimorë. Forcat opozitare “Koalicioni për Ndryshim”, “Uniteti Për të shpëtuar Gjeorgjinë”, “Gjeorgjia e Fortë” dhe “Për Gjeorgjinë” kanë fituar mbi 37 për qind të votave, marrë së bashku.
ISFED, një grup monitorues i zgjedhjeve tha se kishte regjistruar shkelje, duke përfshirë frikësimin e votuesve si dhe ryshfetin që mund të kishin një ndikim në rezultatet. Partitë opozitare thanë se nuk i njohin rezultatet duke i cilësuar rezultatet një grusht shteti.
“Në emër të Lëvizjes së Bashkuar Kombëtare iu njoftojmë se nuk do të pranojmë rezultatin e zgjedhjeve të vjedhura dhe nuk njohim rezultatin e këtyre zgjedhjeve të vjedhura”, tha kryetarja e partisë, Tina Bokuchava.
Ajo u bëri thirrje edhe partive të tjera opozitare që të mos e pranojnë rezultatin, duke shtuar se protesta të mëdha ka të ngjarë që të organizohen në vend.
Për banorët rezultati nuk do të prodhojë asgjë në të mirën e popullit.
“Unë nuk jam plotësisht i kënaqur që disa parti, të cilat për mendimin tim nuk duhet të kishin fituar. Por, duket se gjërat do të vazhdojnë ashtu siç kanë qenë, mos prisni asgjë të mirë”.
Rezultati i votimit mund të vendosë nëse vendi orientohet drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ëndrra Gjeorgjiane i kishte përshkruar votimet si zgjedhje mes paqes apo luftës, duke argumentuar se nëse opozita fiton, ajo do ta tërheqë Gjeorgjinë në luftë kundër Rusisë.
Kjo parti ka miratuar disa ligje që kanë nxitur reagimin e Perëndimit siç është ligji që u kërkon grupeve që pranojnë 20 për qind apo më shumë të financimit të tyre nga jashtë, të regjistrohen si “agjentë të huaj”. Miratimi i ligjit më herët gjatë këtij viti nxiti protesta masive dhe shtyri SHBA-në të vendosë sanksione dhe kërcënoi me ndërprerjen e ndihmës për Tbilisin.
Klan News