Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë të mërkurën se lëvizja LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor) nuk është në linjë me vlerat e Turqisë dhe i ka krahasuar me “terroristë” studentët që kanë protestuar nëpër qytetet turke kundër rregullit të tij.
Më shumë se 300 studentë dhe mbështetës të tyre janë ndaluar në Stamboll dhe Ankara për shkak të dhunës në rritje gjatë përballjeve me policinë.
Protestat kanë shpërthyer pasi Erdogan ka emëruar besnikun e tij partiak, Melih Bulu, në krye të Universitetit Bogazici, në fillim të këtij viti.
Ky emërim ka zemëruar studentët, të cilët e kanë konsideruar këtë vendim si pjesë të përpjekjeve të Erdoganit për të centralizuar kontrollin në përditshmërinë e turqve.
Erdogan ka bërë kritika të ashpra të mërkurën ndaj lëvizjes që rrezikon të kthehet në sfidë të madhe për udhëheqësinë e tij 18-vjeçare.
“A jeni studentë apo terroristë që guxoni të bastisni dhomën e rektorit?” ka thënë Erdogan në një fjalim televiziv.
“Ky shtet nuk do të jetë vend ku triumfojnë terroristët. Ne nuk do ta lejojmë kurrë këtë”.
Mospajtimet për rektorin janë rritur pasi protestuesit janë parë me disa postera afër zyrës së rektorit, në të cilët paraqitet vendi më i shenjtë i Islamit me imazhe të përziera të komunitetit LGBT.
Erdogan ka distancuar mbështetësit e partisë së tij nga ajo që e ka përshkruar si lëvizje e “të rinjve LGBT”.
Të mërkurën ai ka dyfishuar ato sulme.
“LGBT, nuk ekziston një gjë e tillë. Ky shtet është i moralshëm dhe do të vazhdojë drejt së ardhmes me këto vlera”.
Homoseksualiteti ka qenë ligjor në historinë moderne të Turqisë, mirëpo kundërshtimet zyrtare ndaj këtij komuniteti janë rritur viteve të fundit.
Marshi i Krenarisë në Stamboll është ndaluar për pesë vjet rresht, derisa më 2020, pandemia ka pamundësuar organizimet eventuale të tij./REL