Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë të premten në Beograd se marrëdhëniet në mes të Turqisë dhe Serbisë janë në “kohë të artë”. Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë të përbashkët për media, me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.

Vuçiç ka thënë se dy liderët kanë diskutuar për tema të rëndësishme gjeopolitike, si dhe për problemet me të cilat përballen dy vendet.

“Turqia dhe Serbia kanë marrëdhënie të mia ekonomike. Ne kemi trefishuar këmbimin tregtar, në krahasim me pak vjet më parë”, ka thënë Vuçiç.

Presidenti serb ka thënë se është arritur pajtueshmëri për t’i përmirësuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe atë ushtarake. Erdogan është takuar me Vuçiçin në Beograd, në kuadër të vizitës së tij dy ditore në Serbi.

Në ditën e mbërritjes së presidentit turk në Serbi, më 10 tetor, qeveria e Serbisë ka miratuar disa memorandume mirëkuptimi në mes të Serbisë dhe Turqisë, në fusha si punësimi, siguria sociale, ekonomia, industria dhe teknologjia, media dhe informacioni, rinia dhe sporti, dhe si menaxhimi i emergjencave./REL