Të gjithë janë në mbështetje të kombëtares sot që luan një sfidë vendimtare ndaj Spanjës. Në Dyseldorf ishte edhe Presidenti i Federatës së Futbollit në Kosovë, Agim Ademi i cili pati një intervistë për gazetarin Glendi Tafaj. Ai u shpreh se shqiptarët kudo ndodhen do ta përkrahin gjithmonë Shqipërinë në kompeticione të tilla. Sa i përket ndeshjes me Spanjën, Ademi tha se të gjithë kanë pritshmëri të mëdha pasi ekipi është shumë i mirë. Edhe pse vetë president i FFK-së, ai tha se ka ndikuar që shumë futbollistë nga Kosova të zgjedhin kombëtaren kuqezi.
“Po sigurisht që është me pritshmëritë më të mëdha sepse jemi shumë afër kalimit të këtij raundi dhe pastaj në raundin tjetër nuk i dihet. Ekipi është i mirë. Asnjëherë nuk i dihet. Unë kam qenë gjithmonë afër edhe kur nuk ka qenë e pranuar Kosova. Ne e dimë ndihmën e Shqipërisë për pranimin e Kosovës dhe presidentit Duka, por gjithsesi edhe ne jemi munduar që të gjithë futbollistët që janë shqiptarë gjithandej ti sjellim në kombëtaren tonë. Këtë kemi bërë. Kemi ndikuar edhe aty. Kemi punuar sa kemi mundur për t’ju thënë futbollistëve me ardhë. Për ne edhe Shqipëria është e rëndësishme. Ne gjithmonë kemi qejf secili me pas ekipin më të mirë në të dyja ekipet sepse është rezultat i joni. Ekipin kombëtar e veçojmë dhe këtu ndihem edhe unë hisetar sepse ka edhe shumë futbollistë nga Kosova dhe në ekipet zinxhirë që po shkëlqejnë”, tha Ademi.
Shpesh bëhet diskutimi në media se kë zgjedhin lojtarët shqiptarë, atë të Kosovës apo Shqipërisë, por për Ademin, kjo është thjesht një mundësi e artë për futbollistë. Ai tha se nuk do t’i thotë kurrë asnjë futbollisti që të mos shkojë tek Shqipëria, mirëpo thekson se do të punojë që të marrë ata që mendon se janë të rëndësishëm për Kosovën.
“Futbollistët kanë një mundësi të artë sepse në kombëtare sigurisht do të jenë ata që janë në nivelin e përfaqësimit. Kjo pjesa tani që e përdorin, ta djegim një futbollist, mos ta lemë me shkuar asnjëherë nuk ka ndodhur dhe nuk besoj që do ndodhë. Kombëtaren ose duhet ta duash me shpirt ose jo me joshje të tjera. Në kombëtare nuk është çështja materiale, është prestigji, është ideja edhe ndjenja patriotike. Në cilindo kombëtare që të jetë të japë kontributi. Asnjëherë nuk kam thënë që pse dhe nuk do t’i them asnjë futbollisti mos shko në Shqipëri, por do ta josh për vete sigurisht atë që është reprezantiv dhe i nevojshëm për Kosovën. Sigurisht edhe për Shqipërinë më duket njësoj. Nganjëherë e përdorim, jo në Zvicër, jo në Gjermani. Dallojnë Shqipëria, me Zvicrën. Nuk folet ajo. Gjithë shqiptarët po krenohen, normalisht edhe ne”, tha Ademi./tvklan.al