Ndeshja mes Spanjës dhe Gjermanisë, në çerekfinalen e Europianit, cilësohet nga të gjithë si një finale e parakohshme.  

Nga kjo situatë, kërkojnë të përfitojnë ata që shesin biletat në tregun e zi. Çmimet kanë shkuar në stratosferë dhe tifozët që nuk kanë siguruar dot biletën më herët, duhet të bëjnë një sakrificë të madhe tani për të ndjekur skuadrat e tyre në stadium.

Sipas “Bild”, një biletë për ndeshjen Spanjë-Gjermani në Shtutgart, ka shkuar deri në 6 mijë euro dhe në vend shumë larg fushës.

Në Gjermani duan hakmarrjen ndaj Spanjës dhe për këtë arsye interesi është shumë i lartë. Biletat me vlerë 100 euro, tani kanë shkuar në 700-800 euro, ndërsa ka edhe nga ata që për 3 bileta në zonë aspak të mirë, kërkojnë afro 12 mijë euro.

Spanja eliminoi Gjermaninë si në vitin 2008, ashtu edhe në 2010. Gjermania nuk e ka mundur Spanjën që nga viti 1988, 36 vite në total. Ka kaluar shumë nga suksesi i fundit, kjo është arsyeja pse sfida kundër Spanjës është kaq e rëndësishme. /tvklan.al