Me çiftet çerekfinaliste të përcaktuar tashmë, Euro2024 ka hyrë në fazën e saj më interesante. Përballje të forta premtohen në 4 sfidat e këtij raundi, nga ku do të zbulohen edhe skuadrat gjysmëfinaliste. Anglia mbetet sërish skuadra favorite për të fituar Europianin.

“Tre Luanët” nuk kanë qenë bindës në fushën e lojës, duke koleksionuar tre barazime në 4 ndeshje dhe për tu kualifikuar në çerekfinale vetëm pas kohës shtesë.

Gjithsesi, ekipi i Gareth Southgate konsiderohet në letër se e ka rrugën më të lehtë për në finale, me provën e parë Zvicrën dhe nëse kalon në gjysmëfinale mund të përballet me fituesin e duelit Holandë-Turqi. Franca mbetet gjithnjë kombëtarja për tu mposhtur kur bëhet fjalë në Europian.

Por ashtu siç edhe Anglia, “gjelat” nuk kanë qenë në nivelin e duhur. Ata kanë bërë histori si skuadra e vetme që janë kualifikuar në çerekfinale të kompeticionit pa shënuar asnjë gol në aksion. Megjithatë, fitorja ndaj Belgjikës tregoi se skuadra e Deshamp ka cilësi dhe kjo e bën ekipin e dytë favorit për titullin Europian.

E radhës është Gjermania. Kombëtarja vendase është ndër ekipet kryesore që ka bindur në fushën e lojës, pasi ka edhe sulmin më të mirë të kompeticionit. Të udhëhequr nga Musiala me 3 gola, ekipi i Nagelsmann gjendet në mesin e tre përfaqësueseve më të kuotuara për të triumfuar.

Rivaliteti me Spanjën në çerekfinale vlen jo vetëm historinë, me dy kombëtaret që kanë 3 tituj kampion, por edhe eliminimi i një prej kundërshtarëve më të fortë në rrugën drejt finales së 14 Korrikut.

Iberikët janë vetëm të katërtit në mesin e favoritëve, me kuotën që është ulur ndjeshëm pas performancës së mirë në fushën e lojës. Renditja speciale e skuadrave favorite për titull vijon me Portugalinë, Holandën, Zvicrën dhe Turqinë.

Klan News