Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve ka rritur nivelin e alarmit për rrezikun nga lia e majmunit. Kjo masa është ndërmarrë për shkak të lidhjeve të ngushta midis Evropës dhe Afrikës, kontinenti duhet të jetë i përgatitur për më shumë raste të importuara në të ardhmen.
Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi linë e majmunit një emergjencë globale të shëndetit publik, forma më e lartë e alarmit të saj, pas një shpërthimi në Republikën Demokratike të Kongos që u përhap më pas në vendet fqinje.
Një formë e re e virusit ka shkaktuar shqetësim global pasi duket se përhapet lehtësisht përmes kontaktit të ngushtë.
Ndërsa rriten shqetësimet për përhapjen e këtij virusi, ekspertët e sëmundjeve infektive shprehën optimizëm se ky virus nuk do të shkaktojë ndikime shëndetësore aq të rënda. Rreziku në SHBA mund të zbutet nga një sërë faktorësh, duke përfshirë imunitetin nga vaksinimi dhe infeksionin e mëparshëm nga shpërthimi i një variant tjetër që filloi në 2022 dhe akses më të mirë në kujdesin shëndetësor.
Pas Suedisë dhe Pakistanit edhe Filipinet kanë zbuluar një rast me linë e majmunit, i pari që nga Dhjetori i vitit të kaluar. Pacienti ishte një mashkull filipinas 33-vjeçar, i cili nuk kishte histori udhëtimi jashtë Filipineve, sipas Departamentit të Shëndetësisë (DOH).
“Simptomat filluan më shumë se një javë më parë me ethe, e cila u pasua katër ditë më vonë nga gjetjet e një skuqjeje të veçantë në fytyrë, shpinë si dhe pëllëmbët dhe shputat. Ne jemi në pritje të rezultateve dhe do të përditësojmë sapo të jenë në dispozicion”, tha DOH Filipine në një deklaratë.
Një rast i variantit të ri u konfirmua të enjten e kaluar në Suedi. Pakistani të premten konfirmoi të paktën një rast të virusit në një pacient që ishte kthyer nga një vend i Gjirit. Rasti i ri në Filipine është rasti i 10-të i konfirmuar nga departamenti i shëndetësisë. Rasti i parë i saj ishte në Korrik 2022.
Sëmundja, e shkaktuar nga virusi i lisë së majmunit, çon në simptoma të ngjashme me gripin dhe puçrra në trup. Zakonisht është i lehtë, por mund të jetë fatal për fëmijët, gratë shtatzëna dhe njerëzit me sistem imunitar të dobësuar, si ata me HIV.
Klan News