Një operacion i përbashkët mes gjashtë vendeve, përfshirë Shqipërinë, i mbështetur edhe nga Europol ka goditur grupet kriminale që pastrojnë paratë e përfituara nga trafiku i drogës dhe krimet e tjera të rënda. Ky aksion vjen pas dy hetimeve të tjera të mëdha, “Gorgon” dhe “Whitewall”. Operacioni çoi në arrestimin e 9 personave, sekuestrimin e dokumenteve, celularëve, sendeve me vlerë si flori, apo mallra luksoze, 35 mijë Euro cash dhe 25 milionë Euro në kriptomonedha.
Europol thotë se në vitin 2021 u sekuestruan para cash gjatë një kontrolli në një shtëpi pas hetimit për trafik kokaine. Disa prej kartëmonedhave prej pesë Eurosh kishin mbishkrime të shkruara me dorë, të cilat jepnin informacion se kush po koordinonte dhe lehtësonte aspektin financiar të trafikut të jashtëligjshëm.
Ky informacion iu dha Europol-it nga Guardia Civil e Spanjës dhe më pas u bë kryqëzimi i të dhënave me rastet e zbuluara në EncroChat dhe Sky ECC. Si rezultat u identifikua se i dyshuari shërbente si koordinator duke ofruar shërbime për një rrjet kriminal të bazuar në Spanjën Jugore. I dyshuari ishte një shtetas britanik, që u arrestua më 12 Shtator 2022.
Hapi tjetër i radhës ishte analizimi i të dhënave për të identifikuar kontaktet e britanikut. Synimi ishte që të zbulohej rrjeti kriminal dhe për të kuptuar rolet e secilit anëtar.
Sipas Europol, operacioni “Whitewall” ishte hetimi i parë kriminal që u fokusua te bankierët e botës së krimit. Qëllimi ishte për të shkatërruar rrjetet financiare që e ofronin krimin si një shërbim. Zakonisht këta persona e kontrollonin biznesin nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe operonin në shtetet e BE-së dhe përtej, për të fshehur origjinën e parave të pista.
Një nga gjetjet e këtij hetimi ishte se një anëtar i një rrjeti kriminal në Shqipëri, i shënjestruar gjatë operacionit “Gorgon” lehtësonte transferimin e shumave të mëdha të parave përmes kriptomonedhave. Kjo nuk përdorej vetëm nga krimi shqiptar, por edhe nga organizata të tjera kriminale dhe në vlera të mëdha. “Kjo është një qasje inovative drejt pastrimit të parave”, shprehet Europol.
Sipas Europol, vendet që morën pjesë në këtë hetim janë Shqipëria përmes SPAK dhe BKH, Bullgaria përmes Drejtorisë së Përgjithshme që Lufton Krimin e Organizuar, Belgjika përmes Policisë Federale, Holanda përmes FIOD, Spanja përmes Guardia Civil dhe SHBA-ja për DEA-s./tvklan.al