Një fëmijë 1-vjeçar nga Gaza është evakuuar në vendin tonë mbrëmjen e mërkurës për një trajtim të specializuar mjekësor.

Lajmi është bërë i ditur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Shqipëri, e cila informon se foshnja aktualisht po merr kujdes kritik mjekësor në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”.

Gjithashtu zyra e OBSH-së në vendin tonë informon se krahas fëmijës 1-vjeçar, në vendin tonë janë transportuar përmes një avioni ambulancë edhe babai, vëllai dhe motra e tij, të cilët janë akomoduar në qendrën e refugjatëve në Babrru.

Sakaq, OBSH shpreh falenderimet për kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë shqiptare për lehtësimin e kësaj përpjekjet humanitare.

“Angazhimi i Shqipërisë për të mbështetur ata në nevojë është një shembull i rëndësishëm solidariteti. Meqë shumë pacientë nga Gaza ende kërkojnë kujdes urgjent mjekësor, përpjekjet e koordinuara ndërkombëtare mbeten vendimtare.”

Kreu i OBSH-së për Europën Hans Kluge, bën të ditur se evakuimi i foshnjës 1-vjeçar dhe familjarëve të tij në Shqipëri ishte pjesë e një operacioni më të gjerë, ku Shqipëria, Franca, Norvegjia dhe Rumania kanë mirëpritur  11 pacientë nga Gaza, përfshirë edhe 34 familjarë të tyre.

Ai thotë se ky veprim jetëshpëtues nga 4 shtete anëtare të OBSH është një testament frymëzues për më të mirën e njerëzimit.

Tv Klan