Vrojtimi hapësinor shënon një epokë të re. Pavarësisht përmirësimeve të ndjeshme që janë kryer në fushën astronomike gjatë viteve të fundit, teknologjia dhe përdorimi i saj po përparon me shpejtësi. Së fundmi, grupi i “Event Horizon Telescope” ka rritur të shkrepë imazhe edhe më të pastra dhe të qarta në sajë të koordinimit të shumë radioteleskopëve të pozicionuar anekënd botës, duke monitoruar kozmosin drejtpërdrejt nga planeti ynë.


Në këtë projekt të gjerë marrin pjesë 400 kërkues ndërkombëtarë nga vende të ndryshme, për të bërë të mundur që vrojtimet hapësinore të kënë saktësi të paarritur deri më sot. Në eksperimentin pilot teknika e përdorur është e njëjta në shkrepjen e imazheve të para të vrimave të zeza supermasive M87 dhe Sagittarius A, foto të cilat shënuan një revolucion në astronomi.


Kësaj here do të reduktojnë gjatësinë e valës për të arritur qëllimin e përcaktuar. Ekspertët kanë tre mundësi për të përmirësuar vrojtimet në eksplorimin e hapësirës që janë: të ndërtojnë teleskopë më të mëdhenj e të fuqishëm, të largohen nga objekti që do vrojtohet, por kjo është e pamundur pasi Toka nga ne vrojtojmë nuk mund të spostohet, dhe të realizohet vëzhgimi me gjatësinë më të ulët të valës. Kjo e treta është mundësia që është shfrytëzuar, dhe duket se rezulton e suksesshme.

Gjatë viteve të fundit janë prekur një sërë arritjesh me mjete me teknologji të sofistikuar. Aktualisht teleskopi James Webb po bën një punë të madhe, në vrojtimin e kozmosit, studimin e strukturës, origjinën e evolucionin e galaktikave të para, lindja dhe formimi i yjeve e planetëve dhe evolucioni deri në zhvillimin e jetës.


Gjithashtu hartëzimi i Universit, me një cilësi mjaft të lartë të imazheve, duke shënuar përmirësim të dukshëm ndaj paraardhësit të tij, Teleksopit Hubble, në funksion prej vitit 1990,që orbiton rreth 550 km lartësi. Teleskopi Ëebb, realizimi i një bashkëpunimi mes Agjensisë Hapësinore Amerikane NASA, Agjensisë  Evropiane ESA dhe asaj kanadeze CSA, u lëshua në krishtlindjen e 2021-it, orbiton rreth Diellit, në distancën prej 1.5 mln km larg Tokës, dhe 6 muaj pas pozicionimit, nisi misionin e tij shkencor.

Foto e parë e shkrepur, me ngjyra, nga nisja e misionit është titulluar “Webb’s First Deep Field”, dhe u prezantua nga Presidenti Amerikan Joe Biden.


Deri më tani ndër zbulimet më të rëndësishme të telekopit Webb janë gjetja për herë të parë e pranisë së CO2 në atmosferën e një ekzoplaneti, pra që gjendet jashtë sistemit tonë diellor. Bëhet fjalë për gjigandin e gaztë Wasp-39b.

Gjithashtu në vitin 2023 NASA publikoi zbulimin e LHS 475 b, një planet i ngjashëm me Tokën. Ndodhet rreth 40.7 vite dritë larg nesh, ka dimensione tokësore, është shkëmbor, orbiton rreth yllit të vet në vetëm 2 ditë.


Paraprakisht ishte hedhur dyshim mbi ekzistencën e tij nga teleskopi Tess, por konfirmimi dhe zbulimi mban firmën e teleskopit me rreze infra të kuqe të gjeneratës së re James Webb.


Më pas anunçimi i zbulimit të 6 galaktikave masive që janë formuar rreth 500-700 mln vite pas Big Bang, apo Shpërthimit të Madh. Këto galaktika mendohet të kenë një masë të ngjashme me atë të Rrugës së Qumështit, por janë 30 herë më të madhe. Sipas grupit kërkimor, kjo masë kaq e lartë, vë në diskutim teoritë e deritanishme kozmologjike mbi Origjinën e Universit.

Klan News