Cesc Fabregas është zyrtarisht trajner i parë i Como-s në Serie A. Njoftimi ka ardhur nga vetë klubi italian, nëpërmjet një komunikate zyrtare.
Te Como, Fabregas, ka edhe një përqindje të vogël aksionesh. Spanjolli do të drejtojë skuadrën e njohur në elitën e futbollit italian, aty ku siguruan ngjitjen në sezonin e fundit.
37-vjeçari mori drejtimin e skuadrës italiane që në nëntor të vitit të kaluar, por për shkak se nuk kishte licencën UEFA Pro, qëndroi si ndihmës i Osian Roberts.
Pas emërimit si trajner i parë, Fabregas u shfaq shumë i lumtur, ndërsa pranoi se do të jetë një sezon i vështirë.
“Jam i lumtur që hyj në këtë sezon si trajner dhe falënderoj grupin e pronarëve që më besuan këtë detyrë. Ndaj ambiciet e tyre dhe mendoj se ky është vetëm fillimi për këtë klub. Ky do të jetë një sezon i vështirë dhe i rëndësishëm, por stafi im dhe unë jemi gati dhe plot besim”, deklaroi Fabregas.
Como ka një projekt të rëndësishëm për të ardhmen, ndërsa priten lëvizje të shumta në merkato. Në klubin italian, bëjnë pjesë emra të njohur si Pepe Reina, Alberto Moreno, Simone Verdi dhe Patrick Cutrone. /tvklan.al