Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, mori pjesë në mbledhjen e asamblesë rajonale në prefekturën e Gjirokastrës.
Ai shoqërohej nga anëtarët e kryesisë dhe deputetë të grupit parlamentar të PR-së. Mediu tha se republikanët kanë pjesën e vet në këto 18 vite në zhvillimin e Shqipërisë.
Fatmir Mediu: “Ky status në të cilin ne ndodhemi nuk është thjesht vetëm pjesë e gjykimit ndërkombëtar, e interesave gjeopolitike apo gjeostrategjike. Siç e kanë theksuar dhe ata vetë është pjesë e reformave të thella, e punës lëkurëse të kryer nga qeveria shqiptare, të kryer nga politika shqiptare. Është punë e qytetarëve shqiptarë për të realizuar reforma dhe standarde për të rritur nivelin demokratik në Shqipëri dhe unë kam bindjen që pas tre vjet qeverisje sot ne kemi një Shqipëri ndryshe.”
Kryetari Mediu në fjalën e tij theksoi nevojën e organizimit të strukturave të partisë për qytetet që bëjnë pjesë në prefekturën e Gjirokastrës për të bërë kështu identifikimin e plotë të anëtarëve të qendrave të numërimit, ngritjen e shtabeve elektorale dhe propozimet për kandidatët./tvklan.al
Gazetare: Danjela Kostandini