Gjatë 12 muajve të fundit, për të ardhmen e Pep Guardiolës si trajner i Manchester Cityt është spekuluar gjerësisht.

Kontrata e tij me kampionët në fuqi të Premier Liges do të skadojë në përfundim të këtij sezoni dhe nuk është e sigurt nëse ai do të rinovojë me Citysens, apo do të largohet nga “Etihad Stadium” pas nëntë viteve dhe shumë sukseseve.

Emri i tij ishte përfolur për t’u ulur në stolin e Anglisë, por këtë detyrë e mori Tomas Tuhel.

Por sipas “The Athletic”, kjo nxiti Federatën Braziliane të Futbollit që të kontaktojë me të, pasi e shikon si kandidatin ideal për ta ulur në stoline e “Seleçaos”.

Madje mes palëve kanë ndodhur disa kontakte, por ende asgjë konkrete nuk ka.

I pyetur nga një gazetar brazilian pas humbjes 4-1 kundër Sporting Lisbonës, Pep bëri shaka e tha se pas dështimit 4-1 ai nuk e shikon më veten si opsion.

Në vitin 2023, emri më i përmendur për të marrë drejtimin e verdhejeshilëve ishte tekniku i Real Madridit, Carlo Ancelotti, por italiani zgjodhi të rinovonte me Los Blancos.

Sipas spanjolles “AS”, Federata Brazilaine e Futbollit mohoi të ketë pasur kontakte me katalanasin, dhe vazhdon që të ketë besim te tekniku i kombëtares, Dorival Junior.

Situata është e qetë te Brazili, pas dy fitoreve në eliminatoret e Kupës së Botës 2026 kundër Kilit dhe Perusë, me verdhejeshilët që tani janë në katërshen më të mirë në renditje, pas një nisjeje jo të mirë.

Sfida e radhës e Brazilit do të jetë me Venezuelën më 15 Nëntor, ndërsa pesë ditë më pas pret Uruguajin.

Teste për t’u kaluar nga Dorival Jr, që ende e ka të pasigurt pozicionin e tij në stol.

Klan News