Trajneri i Mançeser Sitit, Pep Gurdiola mendon se skuadrat e Premier Ligës do të përjetojnë momente më të vështira krahasuar me rivalet e tyre europiane për shkak të kalendarit më të ngjeshur, ndërsa skuadra e tij do të ndeshet me Arsenalin, 4 ditë pas një sfidë kyçe në Ligën e Kampioneve.

Citysens siguruan kualifikimin për në fazën e eliminimit direkt në Europë pasi mposhtën 3-1 Klub Bruzhin, ndërsa kanë pak kohë që të rimarrin veten për përballjet e tyre në kampionat.

Tekniku katalanas tha në konferencën për shtyp se problemi i numrit të madh të ndeshjeve në një sezon ekzistonte që para se ai të vinte në Angli.

“Gjithmonë ka qenë kështu! Ne e pranojmë këtë! Nuk ankohem sepse fituam tripletë titujsh dhe patëm sukses me këtë ngarkesë. E kam thënë shumë herë, sezonin e kaluar, ne luajtëm çerekfinalen kundër Madridit dhe tre ditë më vonë kishim gjysmëfinalen e FA Cup në ‘Wembley’ kur mund të luanim në një ditë tjetër! Por ne mbijetojmë! Më kujtohet kur isha në Barcelonë dhe ndiqja Premier Ligën dhe Aleks Ferguson, Zhoze Murinjo dhe Arsen Venger bënë të njëjtat ankesa. A mendoj se do të ndryshojë? Vendosin kompanitë mediatike! Ata nuk më pyesin se çfarë është më mirë për të luajtur!””

City gjendet në vendin e katërt në renditjen e Premeir Ligës me 41 pikë të grumbulluara, gjashtë pas Arsenalit në vend të dytë. Por Guardiola nuk do të ketë të gatshëm Ruben Dias, Nathan Ake dhe Jeremy Doku, të cilët janë të dëmtuar.

Ndërsa trajneri i “Topçinjve” Mikel Arteta u shpreh se fitorja ndaj Manchester Cityt do të jetë një stimul për shpresat e zbehura të ekipit për titulin kampion.

Sezonin e shkuar, Arsenali e humbi titullin kampion në garën me Sitin me vetëm dy pikë më pak.

Klan News