Lëkura është organi më i madh i trupit tonë dhe kujdesi për të duhet të jetë pjesë e rutinës së përditshme. Dermatologia Erjona Shehu shpjegon në “Aldo Morning Show” në Tv Klan se lëkura mund të  mbajë deri në 3500 sëmundje dhe ndërsa askush nuk ka lëkurë plotësisht të shëndetshme, mbetet i rëndësishëm kujdesi ndaj saj.

Dermatologia këshillon që një hidratues dhe kremi mbrojtës ndaj diellit duhet të jetë i pranishëm në 365 ditët e vitit. Një pikë tjetër ku ajo ndalet janë ekstremet e temperaturave që e shqetësojnë shumë lëkurën. Shehu cilëson se temperaturat ideale janë 19-22 gradë, edhe në dimër kur tentojmë që të jemi sa më ngrohtë. Ky udhëzim duhet ndjekur edhe për fëmijët.

Erjona Shehu: Ajo çfarë është shqetësim  i madh për lëkurën janë ndryshimet ekstreme të temperaturave. Supozojmë jashtë është 0 gradë Celsius apo 6 gradë Celsius. Brenda në shtëpi, ne jemi mesdhetarë, ballkanikë, duam diellin, duam të ngrohtin, brenda në shtëpi ne e bëjmë 26 gradë Celsius. 20 gradë është diferencë jashtëzakonisht e madhe. Rekomandimet janë që temperaturat të jenë 19-21 gradë Celsius, maksimumi 22.

Aldo: Po ai që ka fëmijë në shtëpi?

Erjona Shehu: 19-22 gradë Celsius, t’i mësojnë edhe fëmijët që të rrinë sa më  freskët sepse ekziston një problem, kur ne flasim, tallemi tërë kohën. Kur themi që temperaturat jashtë janë shumë ekstreme, rekomandohet që mos të jemi më shumë se 5-6 gradë më shumë nga sa janë jashtë, të jemi shumë të kudjesshëm, kjo nuk do të thotë që je 40 apo 42 gradë jashtë dhe do ta mbash 38, ti do e bësh më freskët por jo të shkosh në ekstreme sepse është anormale. Për të ftothin, e ripërsëris, 19, 21, 22 këto janë tepmperaturat ideale për lëkurën e trupit.

Aldo: Këtë na e kanë thënë edhe kardiologët në fakt, edhe për zemrën ekstremi është… edhe për lëkurën  thua?

Erjona Shehu: Edhe për lëkurën është e njëjta gjë, pra do të përpiqemi që ta mësojmë trupin dhe u bëjmë thirrje prindërve, u themi që vishini sa më hollë, nëse nënat vetë kanë të veshur një reçipetë dhe një bluzë, fëmija do më shumë një kanatiere sesa nëna, pra sa më hollë që të jetë e mundur. Ne e kemi një çikë atë maninë “vishe trashë, i ka këmbët e ftohta”. I ka të ftohta sepse ekstremitetet nuk kanë të njëjtin fluks të qarkullimit të gjakut si pjesa tjetër e trupit, rrinë gjithmonë pak më të ftohta. Hajt ta veshim, i mbulojnë, fëmijët e  shkretë fillojnë djersijnë. Ajo djersitja çon në vetvete në tharje dhe acarim të mëtejshëm të lëkurës.

Dermatologia shton se faktorë të tjerë që ndikojnë në shëndetin e lëkurës janë stili i jetesës,  orët e gjumit, dieta ushqimore, ndotja e ajrit etj./tvklan.al