Me lot dhe të shtëna është festuar ftesa në listën provizore të kombëtares shqiptare nga familja e sulmuesit, Mirlind Daku.
Teksa pa emrin të shfaqej në monitor, personat e afërt të 26-vjeçarit shpërthyer në gëzim, për atë që do të jetë edhe turneu i parë madhor për të me fanellën kuqezi.

Daku ka reaguar edhe në rrjete sociale duke postuar një foto nga oborri i shtëpisë së tij. Me një banderolë gjigante ku shkruhet, “Jam djal nga Kosova, më ka thirr Atdheu”, Daku e ndan me ndjekësit nën diçiturën: Besa, besë!

Daku është një nga zbulimet e trajnerit Sylvinho, pasi ftesa për t’u veshur kuqezi mbërriti pikërisht nga ana e teknikut brazilian.
26-vjeçari luajti në 28 ndeshje këtë sezon me Rubin Kazan, ku realizoi 10 gola dhe dhuroi katër here asiste.
Me interes të madh pritet të shihen paraqitjet e tij në premierën e Europianit, ku në grup me ne janë kundërshtarë të kalibrit të lartë si Spanja dhe Italia, pa nënvlerësuar aspak Kroacinë.

Kampionati Europian mbahet në Gjermani nga 14 Qershori deri më 14 Korrik, emocionet e të cilit do të përjetohen falas dhe ekskluzivisht në TV Klan.
Klan News