Juventusi duket se po planifikon një shkëmbim të bujshëm në këtë merkato dimri. Bardhezintë prej kohësh ndjekin sulmuesin Joshua Zirkzee, i cili është kthyer në objektivin kryesor për repartin e avancuar.

Holandezi pëlqehet shumë në Torino, kryesisht nga trajneri Thiago Motta, i cili një sezon më parë e drejtoi atë te Bologna.

Zirkzee u transferua në verë te Manchester United, por po has vështirësi të mëdha në përshtatje. Në këtë situatë, futbollisti dëshiron të ndryshojë ambient dhe rikthimi në Serie A shihet pozitivisht, pasi aty ka pasur momentet më të mira në karrierë.

Për të mbërritur te 23-vjeçari, Juventusi ka gati një propozim interesant. Sipas “Talk Sport”, italianët kanë ofruar Dusan Vlahovic dhe në shkëmbim duan Zirkzee.

Sulmuesi serb ka edhe 18 muaj në kontratë dhe bisedimet për rinovim kanë ngecur. Juventusi nuk dëshiron ta humbasë falas dhe për këtë arsye kanë gjetur një zgjidhje për të përfituar nga ai, duke e ofruar në shkëmbim për Zirkzee.

Vlahovic iu bashkua “Zonjës së Vjetër” nga Fiorentina për 60 milionë euro, ndërsa këtë sezon numëron 12 gola të shënuar në të gjitha garat. Më herët 24-vjeçari është përfolur për një transferim të mundshëm tek Arsenali dhe Chelsea, por një marrëveshje nuk është arritur. /tvklan.al